Hetuesit policorë nga Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), Prishtinë, kanë trajtuar një rast rreth dyshimit se një i dyshuar është duke u marrë me shitblerje të substancave narkotike.
Sipas njoftimit, pas një pune operative-hetimore, më 15.07.2026, në magjistralen Pejë-Prishtinë, është lokalizuar i dyshuari F. P., (viti i lindjes 1992, mashkull kosovar), i cili ishte në një veturë.
“Në veturë dhe në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe janë konfiskuar 147.7 gramë substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit kokainë dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin. Rasti është trajtuar në koordinim me prokurorin kujdestar”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se po ashtu se, është bastisur edhe shtëpia e një të dyshuari tjetër: Q. K., (viti i lindjes 1993, mashkull kosovar), por nuk është gjetur asgjë e ndaluar.
Në njoftim bëhet e ditur se ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave, psikotrope dhe analoge’. Të dyshuarit me aktvendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

