Enj. Kor 16th, 2026

Forumi “Bashkë në Shkencë”, UP-ja synon bashkëpunimin me diasporën akademike përmes një njësiti të ri

Lidhja e Universitetit të Prishtinës me Diasporën akademike është synimi kryesor i koncept dokumentit për krijimin e një njësie për migrimin dhe diasporën në kuadër të Qendrës për Studime të Avancuara, raporton KosovaPress.

Kjo u prezantua në kuadër të edicionit të dytë të Forumit “Bashkë në Shkencë” i cili bashkoi studiues nga diaspora me personelin akademik të universitetit me synim forcimin e bashkëpunimit shkencor dhe institucional.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se UP-ja tashmë ka krijuar bazën rregullatore për afiliimin (shkëmbimin) e profesorëve nga diaspora, ndërsa numri i akademikëve të asociuar me universitetin është afruar në dhjetë.

Hajrullahu: Ta lidhim universitet botërore me UP-në, që të mund të zhvillojmë programe së bashku

“Është një potencial i jashtëzakonshëm që Kosova, Universiteti i Prishtinës e ka të shpërndarë gjithandej nëpër botë. Ky potencial, ne duhet të jemi të vetëdijshëm që ka një afat skadence dhe që ta shfrytëzojmë momentumit, që ta bëjmë më të mirën e mundshme duke e lidhë këtë potencial akademik që kemi të shpërndarë, por edhe të dëshmuar gjithandej nëpër universitete me renome botërore, që ta lidhim me Universitetin e Prishtinës, me vendin tonë dhe që të mund të zhvillojmë programe, projekte kërkimore-zhvillimore së bashku. Andaj edhe vetë emërtimi i forumit “Diaspora Akademike Bashkë në Shkencë”, besoj e portreton e pasqyron bukur mirë këtë potencial….04:55… Ne kemi profesorë që janë në fushat e shkencave kompjuterike, kemi profesorë që janë në fushat e shkencave të mjekësisë deri tek shkencat shoqërore e humane, pra paleta është gjithëpërfshirëse. Shpresoj që numri i të asociuarve me Universitetin e Prishtinës prej diasporës akademike do të vijë e do të rritet”, deklaroi ai.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Elis Badalli, tha se forumi është një platformë që lidh dijen, përvojën dhe vizionin e diasporës akademike me institucionet e Kosovës.

Ai theksoi se diaspora mbetet një nga asetet më të rëndësishme të vendit dhe se forcimi i bashkëpunimit me universitetet dhe studiuesit jashtë vendit është prioritet për zhvillimin afatgjatë të Kosovës.

Badalli: Ky forum është një urë lidhëse mes dijes, zhvillimit dhe përvojës për të ndërtuar një strategji për të ardhmen

“Diaspora jonë padyshim se është një nga asetet më të çmuara të Kosovës. Në universitet, institucionet kërkimore të cilat inovacionet kanë bërë botën, diaspora jonë përfaqëson identitetin, potencialin intelektual të vendit tonë dhe kontribuon në zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë eh dhe shumë fushave të tjera që janë të rëndësishme për vendin. Kosova ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e forcimit të lidhjeve me universitetet dhe të diasporës akademike, duke e konsideruar këtë bashkëpunim një prioritet për zhvillimin afatgjatë. Ky forum padyshim se është një urë lidhëse që lidh dijen me zhvillimin, përvojën dhe kontributet e nevojave të Kosovës për të ndërtuar një strategji më të mirë për të ardhmen. Prandaj le ta shfrytëzojmë këtë forum për të krijuar partneritete të reja, për të frymëzuar brezat e rinj dhe për ta bërë bashkëpunimin ndërmjet diasporës akademike dhe institucioneve tona gjithnjë e më të qëndrueshëm”, tha Badalli.

Sipas prezantimit nga përfaqësuesja e GIZ, Krenare Loxha, njësia synon të institucionalizojë lidhjet e universitetit me diasporën akademike, të nxisë kërkimin shkencor, shkëmbimin e njohurive dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, si dhe të mbështesë politikëbërjen e bazuar në dëshmi.

Modeli i propozuar parasheh zhvillimin e njësisë në tri faza gjatë viteve të ardhshme, duke filluar me ndërtimin institucional dhe krijimin e partneriteteve strategjike, më pas pilotimin e programeve si mentorimi, regjistrimi i diasporës akademike dhe krijimi i një databaze, ndërsa në fazën e tretë njësia do të funksiononte me strukturë të konsoliduar qeverisëse dhe model të qëndrueshëm financiar.

Loxha: Kjo njësi kishte me funksionuar përmes dy funksioneve bazike – lidhja e vendit me UP dhe kërkimet shkencore.

“Ky njësit kishte me funksionuar përmes dy funksioneve bazike ose kryesore. E para është ajo e lidhjes së vendit, specifikisht universitetit të Prishtinës me diasporën akademike. Qysh mundet me u bë kjo? Ndërkohë kemi menduar duke i duke i parë edhe në praktika që u bëhen në mbarë botën e shteteve e universiteteve e instituteve të tjera nëpër botë, janë disa mekanizma, disa mundësi se qysh mundet ky njësit, po e quajmë UP-ja me u bë kjo qoftë përmes regjistrimit, mentorshipit, mobilitetit, partneriteteve të shumta. Ndërsa funksioni i dytë është me thënë kështu, me prodhuar dije, e aty vjen te kërkimet shkencore, publikimet e analizat të cilat mbështesin akademinë por edhe politikbërjen…. 24:00… Është shumë rëndësi, edhe pse ne si partnerë, normalisht e kemi edhe atë rolin tonë, është shumë mirë e këtë po e theksoj gjatë kësaj, që gjithmonë partnerët, institucionet, UP-ja si lider në këto procese me qenë pronarë në kuptimin po ashtu edhe financiar, që pavarësisht kontributeve mos me u varë e as zhvillimi, po as mos me u varë rrjedha e këtij procesi si institucion prej aktorëve të jashtëm, në sensin që ne jemi më shumë partnerë, po gjatë rrugës si projekt, zhvillim ndërkombëtar, zakonisht mundet me u mbyll ky projekt”, tha ajo.

Sipas saj, pjesë e planeve është edhe krijimi i një platforme digjitale që do të shërbejë për lidhjen dhe bashkëpunimin me studiuesit nga diaspora.

Zhvillimi dhe operacionalizimi i kësaj platforme do të jenë në përgjegjësi të njësitit dhe të Qendrës për Studime të Avancuara, ndërsa pas vitit të parë synohet të lansohen edhe pilot-programet e parapara në kuadër të kësaj nisme.

Në prezantim u theksua se njësia duhet të financohet kryesisht nga Universiteti i Prishtinës, me mbështetje shtesë nga partnerët strategjikë dhe donatorët, në mënyrë që funksionimi i saj të mos varet nga projektet afatshkurtra

Forumi i dytë “Bashkë në Shkencë” në Universitetin e Prishtinës përkrahet nga GIZ dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Postime të Ngjashme