Hën. Qer 29th, 2026

Akademia e Kuranit “Hifdh Kids” shënon 7-vjetorin e themelimit

Akademia e Kuranit “Hifdh Kids”, që funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, shënoi 7-vjetorin e themelimit të saj, në një ceremoni të veçantë ku u certifikuan edhe 50 nxënës për përfundimin e xhuzëve të ndryshëm të Kuranit famëlartë.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili në fjalën e tij përshëndetëse, përgëzoi mësueset dhe nxënësit për përkushtimin dhe sukseset e arritura gjatë këtyre viteve, duke vlerësuar rolin e Akademisë në edukimin e brezave me dashurinë për Kuranin. Ai shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Bashkësisë Islame të Kosovës për aktivitetet dhe misionin e kësaj akademie.
Në emër të Akademisë, mësueset hafëze Rineta dhe Fatime Nitaj, kujtuan rrugëtimin shtatëvjeçar të institucionit, i cili nisi me vetëm tre nxënës ndersa aktualisht numëron mbi 1500 nxënës. Ato theksuan se qëllimi i tyre nuk ka qenë vetëm mësimi i leximit dhe memorizimit të Kuranit, por edhe edukimi i një brezi të lidhur me vlerat e tij, duke e konsideruar këtë rrugë një amanet dhe mision jetësor.
Programi artistik u pasurua me recitime poetike nga nxënësit, ndërsa të pranishmit patën mundësinë të ndjekin edhe një reportazh kushtuar rrugëtimit shtatëvjeçar të Akademisë së Kuranit “Hifdh Kids”, ku u pasqyruan momentet më domethënëse të veprimtarisë së saj.
Ceremonia u përmbyll me ndarjen e certifikatave për 50 nxënësit që përfunduan xhuzë të ndryshëm të Kuranit.

Postime të Ngjashme