Mër. Qer 24th, 2026

Barbano: Situata në veri e qetë, por e brishtë – angazhimet e qeverisë në dialog kanë parandaluar incidente

Situata në veri të vendit është e qetë, por vazhdon të jetë ende e brishtë për shkak të ekzistencës së faktorëve potencialë që mund të shkaktojnë tensione, thotë shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

Derisa flet për situatën e sigurisë në veri të vendit, krahasuar me periudhën para agresionit në Banjskë dhe gjendjen sot, Barbano thekson se angazhimet e qeverisë së Kosovës në dialog kanë parandaluar incidente.

“Sot situata është padyshim e qetë, por ende e brishtë. E brishtë për shkak të ekzistencës së faktorëve potencialë që mund të shkaktojnë tensione. Është inkurajuese që shumica e këtyre faktorëve po diskutohen paraprakisht me autoritetet vendore, qoftë në kuadër të dialogut apo në kontekstin e zhvillimeve pas sulmit në Banjskë. Kjo ndihmon në parandalimin e tensioneve të mundshme nga perspektiva e sigurisë. Megjithatë, ka ende disa çështje që mbeten nën vëzhgimin dhe shqyrtimin tonë dhe që kërkojnë zgjidhje. Ajo që pres dhe dëshiroj është që çdo veprim të diskutohet me komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht me EULEX-in, për të shmangur veprime të njëanshme që mund të cenojnë të drejtat e individëve”, thotë Barbano për KosovaPress.

Merita i atribuon angazhimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës në kuadër të dialogut për situatën në veri, të cilat nënvizon se kanë rezultuar të dobishme në parandalimin e incidenteve.

“Duhet të them se zhvillimet e fundit dhe angazhimi i qeverisë në kuadër të dialogut, veçanërisht në veri, kanë rezultuar shumë të dobishme dhe efektive në parandalimin e incidenteve. Megjithatë, herë pas here ka ende veprime që nuk janë mjaftueshëm të koordinuara në nivel lokal dhe që vazhdojnë të tërheqin vëmendjen dhe shqetësimin tonë”, thekson ai.

Tutje, ai thotë se policia në veri po përpiqet që ta fitojë besimin e popullatës përmes iniciativave dhe aktiviteteve të ndryshme të realizuara përmes OJQ-ve, shoqërisë civile e komunitetit, por u shpreh se gjithmonë ekzistojnë individë apo grupe që mund ta minojnë paqen dhe sigurinë.

Barbano shprehet i shqetësuar me zbulimin e vazhdueshëm të armëve, jo vetëm në veri por në të gjithë territorin e Kosovës, gjë e cila sipas tij, tregon se këto armë janë relativisht të lehta për t’u siguruar.

“Një aspekt që vazhdon të na shqetësojë është zbulimi i vazhdueshëm i armëve, jo vetëm në veri por në gjithë Kosovën. Kjo tregon se armët dhe mjetet ofensive vazhdojnë të jenë të disponueshme dhe relativisht të lehta për t’u siguruar. Prandaj kjo kërkon vëmendje të madhe si nga policia ashtu edhe nga prokuroria, si dhe nisjen e fushatave për dorëzimin vullnetar të armëve me qëllim çmilitarizimin e këtyre zonave”, thotë ai në intervistën e fundit si shef i Misionit të EULEX-it.

Postime të Ngjashme