Pre. Qer 12th, 2026

Protestat në Shqipëri, Bushati: Mohimi i realitetit dhe tallja me protestuesit i ngjajnë lojës me zjarrin – vënë në pikëpyetje të ardhmen e vendit

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, e sheh valën e protestave të fundit si një shenjë të pakënaqësisë së thellë qytetare ndaj mënyrës se si është zhvilluar vendi gjatë viteve të tranzicionit.

Në një shkrim të gjatë, Bushati thekson se protestat nuk janë kundër zhvillimit, por kundër një modeli që ka favorizuar interesat e ngushta politike dhe ekonomike, duke rritur pabarazitë dhe duke lënë qytetarët jashtë proceseve të rëndësishme vendimmarrëse.

Në analizën e tij, Bushati paralajmëron për rreziqet që sjell përqendrimi i pushtetit dhe dobësimi i mekanizmave demokratikë. Sipas tij, sfida kryesore e politikës nuk është ruajtja e pushtetit, por fitimi i besimit të njerëzve përmes rezultateve dhe përgjegjësisë publike.

Lexoni të plotë shkrimin e tij në Facebook:

PËR NJË SHQIPËRI TË RE

Protestat e pazakonta në Shqipëri dhe në disa qytete të botës ku jetojnë shqiptarë, mund të përkufizohen si “protestat e dinjitetit”. Për të perifrazuar filozofin francez Pierre Lévy, Tirana po shfaqet para botës si një “qytet inteligjent” ku njerëzit nuk grupohen rreth një partie politike apo një pushteti që nuk i përfaqëson, por rreth disa vlerave e shqetësimeve të përbashkëta që shkojnë përtej bindjeve politike, në kërkim të një Shqipërie të re.

Ajo që filloi si zemërim për aksesin në tokë e plazh dhe ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët natyrore shpejt u shndërrua në diçka më të madhe që ka të bëjë me thelbin e demokracisë. Në atë se kush e si duhet të vendoset për të ardhmen e Shqipërisë. Protesta po dëshmon se politika e së ardhmes po kuptohet më mirë nga ata që aktualisht janë jashtë politikës.

Përgjatë viteve të tranzicionit kemi parë se si asetet më të çmuara të vendit janë dorëzuar nga lart tek një grusht njerëzish, ndërsa qytetarët e zakonshëm dhe komunitetet vendore ‘informohen’ vetëm kur vendosen gardhet dhe mbërrijnë betonierat.

Tirana dhe vija bregdetare adriatiko-joniane është pamja më kontrastuese dhe përjashtuese e të ashtuquajturit model zhvillimor të vendit që nuk ka lidhje me modelin europian të kohezionit shoqëror e as me respektin për trashëgiminë e përbashkët.

Dominimi i pakufizuar i të mirave publike e ka thelluar kontradiktën midis mundësive të krijuara nga ekonomia e tregut dhe përvetësimit nga një pakicë poseduese e pushtetit ekonomik dhe politik. Shoqëria sot është më e ndarë se kurrë nga pabarazitë e thella midis atyre që grumbullojnë pasuri dhe pushtet dhe atyre që luftojnë çdo ditë për të jetuar me dinjitet, ose thjesht për të mbijetuar.

Ky nuk është një zhvillim i natyrshëm i kapitalizmit. Por rezultat i një partneriteti të kalcifikuar mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar.

Flamingot janë simbol i zemërimit të grumbulluar ndaj trajtimit të atdheut si plaçkë dhe jo një protestë kundër zhvillimit të vendit. Një protestë kundër një modeli të pamëshirshëm në kurriz të brezave të shkuar dhe atyre të ardhshëm. Të parëve duke ua ngrënë kontributin. Të dytëve duke ua rrënuar trashëgiminë.

Ndaj, kërkohet një reflektim politik dhe veprim i vërtetë. Para së gjithash, nga Partia Socialiste.

Mohimi i realitetit, tallja me protestuesit, përqendrimi tek numrat e pjesëmarrjes, rendja pas teorive konspirative, akuzat për fqinjët apo mediat prestigjioze ndërkombëtare, duke anashkaluar thelbin e zemërimit popullor që ka vërshuar rrugëve, u ngjajnë lojës me zjarrin, dhe vendosin në pikëpyetje të ardhmen e Shqipërisë.

Postime të Ngjashme