Miratimi i Ligjit për Lojërat Mesdhetare shihet si hap thelbësor për vazhdimin e përgatitjeve për organizimin e kësaj ngjarje të madhe sportiv që pritet të mbahet në Prishtinë në vitin 2030.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bylbyl Sokoli, vlerëson se tani është krijuar baza e domosdoshme ligjore për të ecur përpara me projektin, pavarësisht shpërndarjes së legjislaturës aktuale.
Sipas tij, rëndësia kryesore qëndron në faktin se procesi nuk është bllokuar dhe se institucionet tashmë kanë një kornizë të qartë për vazhdimin e planifikimeve sipas masterplanit të organizimit.
Në këtë kontekst, Sokoli thekson për KosovaPress, se miratimi i ligjit ka qenë i domosdoshëm për shkak të afateve të ngushta dhe dinamikës së përgatitjeve, duke nënvizuar se ky hap garanton vazhdimësinë e projektit pavarësisht zhvillimeve politike në vend.
Ai shton se organizimi i Lojërave Mesdhetare përfaqëson një nga projektet më të mëdha ndërkombëtare sportive për Kosovën, me pjesëmarrje nga tri kontinente dhe me karakteristika të veçanta, përfshirë bashkorganizimin me Shqipërinë, ku garat e lundrimit do të mbahen në Durrës.
Sokoli thekson se infrastruktura që do të ndërtohet duhet të jetë e qëndrueshme dhe e dobishme edhe pas përfundimit të Lojërave Mesdhetare, duke shmangur projekte që nuk do të shfrytëzoheshin më vonë dhe që do të krijonin kosto të panevojshme për mirëmbajtje.
Në lidhje me kapacitetet sportive, Sokoli vlerëson se Kosovës nuk i nevojiten stadiume me kapacitete shumë të mëdha si 50 mijë apo 60 mijë ulëse, por struktura më funksionale prej 15 mijë deri në 20 mijë ulëse, duke argumentuar se kostot e mirëmbajtjes së stadiumeve të mëdha do të ishin të papërballueshme për një shtet me madhësinë dhe buxhetin e Kosovës.
Ai thekson se prioritet duhet të jetë ndërtimi i stadiumeve që plotësojnë standardet ndërkombëtare dhe që mund të shërbejnë për Lojërat Mesdhetare, duke përmendur se stadiumi “Adem Jashari”, mund të ketë rol kyç në ceremoninë e hapjes së kësaj ngjarje.
“Të gjithë mendojnë se ne duhet të kemi stadiume 50.000, 60.000 shikues, 30.000 shikues. Ne duhet ta dimë një gjë të qartë, jemi shtet 1 milion e gjysmë, 2 milionë banorë dhe neve na duhen stadiume maksimumi 15.000, 20.000 shikues maksimum. Për shkak të kostos së mirëmbajtjes, sepse një stadium me 15-20.000 shikues varësisht prej cilësisë së stadiumit, kostoja e mirëmbajtjes është prej 3 deri në 15 milionë euro.
Kurse për një shtet të vogël këto vlera janë shumë të mëdha. Në qoftë se kishin me qenë 10 stadiume nga 7 milionë euro, nga 10 milionë euro, ne duhen në vit 100 milionë euro t’i shpenzojmë për mirëmbajtje, që është kosto shumë e madhe. Për ne është kafshatë shumë e madhe, vështirë përballohet. Prandaj, ne duhet së pari të kemi stadiume të cilat i plotësojnë kriteret për hapjen dhe mbylljen e Lojërave Mesdhetare…Dhe në këtë drejtim kemi punuar edhe po punojmë që ai, stadiumi ‘Adem Jashari’ të jetë stadiumi i cili do të jetë i gatshëm për hapjen e Lojërave Mesdhetare”, tha Sokoli në fund.
Në vitin 2030, Prishtina është paraparë të jetë nikoqire e kësaj ngjarje të madhe, në bashkorganizim me Shqipërinë. Për Kosovën, kjo është hera e parë që merr përsipër organizimin e një ngjarjeje të tillë ndërkombëtare të këtij niveli, duke e vendosur vendin në hartën e organizatorëve të mëdhenj sportivë.
Organizimi i Lojërave Mesdhetare konsiderohet një projekt strategjik jo vetëm sportiv, por edhe zhvillimor, pasi sjell investime të rëndësishme në infrastrukturë dhe lë një trashëgimi afatgjatë për sportin dhe komunitetin. Pikërisht për këtë arsye, përgatitjet për “Prishtina 2030” po shihen si një moment kyç për zhvillimin sportiv dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës./Kosovapress/
lexo lajmin edhe në:

