Die. Shk 15th, 2026

Veteranët e sektorit publik A po diskriminohen ata?

Në moshën 16-vjeçare, Labinot Dezdari iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke u bërë pjesë e brigadës 135 “Agim Zeneli”, në Rrafshin e Dukagjinit.

Ashtu si shumë të rinj të asaj kohe, ai u bë pjesë e luftës me qëllimin për çlirim e liri të vendit.

Labinoti nga Peja, pas përfundimit të luftës ishte angazhuar në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK) për nëntë vjet si oficer për komunikim dhe informatikë. Pas dorëheqjes aty, tash e 17 vjet punon në Komunën e Pejës si udhëheqës i sektorit për teknologji dhe komunikim.

Asnjëherë nuk arriti të përfitojë nga shteti pensionin e veteranit të luftës, për çka flet me zhgënjim për institucionet.

“Sot nuk është e mira materiale apo diçka e ngjashme, por është problemi te mohimi i të drejtës ligjore. Është një fyerje për sakrificën tonë dhe për gjakun për këtë vend. Unë kërkoj nga opinioni publik, nga qeveria që të reflektojë sepse kjo nuk është vetëm ndaj nesh si veteran por për vet vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky shtet. Është shumë e vështirë të diskutojmë tani për këtë çështje pas 27 viteve. Sepse diskriminimin as që e kemi menduar ndonjëherë…. ndarjet që janë krijuar sidomos ndaj veteranëve të shërbyesve publik, në këtë rast mua dhe shumë kolegëve të mi që punojnë në sektorin publik nga ajo privat më duket se është shumë e pakuptimtë”, thotë ai.

Përkundër ankesave të tij e shumë bashkëluftëtarëve, ai thotë se nuk janë marrë parasysh nga institucionet.

“Problemi është që kur i jemi drejtuar jo vetëm unë, por edhe shumë kolegë të mi kur i janë drejtuar tani këtë kohëve të fundit pas vendimit të Gjykatës Supreme, por edhe kur ju kemi drejtuar Entit të Pensioneve, faktikisht as të drejtën elementare që na garantohet me ligjin e procedurës së përgjithshme administrative dhe normat tjera nënligjore për ankesa, kërkesa, parashtresa, madje as atë drejtë nuk na i kanë dhënë së paku me pas edhe një refuzim. Mos të flasim pastaj për këto tjerat. Kështu që qysh në start ne jemi penguar. Kur kemi shkuar me i marrë vendimet na kanë thënë që ‘kemi vendim nga lartë që këto kërkesa të mos trajtohen’”, thotë ai mes tjerash.

Labinot Dezdari thotë se dera e vetme që u kanë mbetur edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku edhe i kanë dorëzuar disa dokumente.

Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla thotë se ky është diskriminim dhe shkelje e të drejtave.

“Po sigurisht që është shkelje e të drejtave dhe ne mendojmë që edhe ligji i parë po edhe ligji i dytë, asnjëherë nuk na i plotëson ato kërkesat tona, do të thotë për një trajtim me dinjitet të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, këto janë ligjet, këto ligje janë votuar prej deputetëve të Parlamentit të Republikës tonë. Prandaj, ne do të avokojmë gjithmonë për secilin veteran, qoftë ai në sektorin publik që punon apo në atë privat. Megjithatë nuk është diçka që është në dorën tonë, por gjithmonë ka qenë në dorën e deputetëve të cilët e kanë ngritur dorën dhe e kanë votuar këtë ligj”, thotë ai.

Sipas tij, vet ligji diskriminon këtë kategori lufte, meqë nuk u mundësohet që të përfitojnë.

“Ligji nuk e parasheh që e përfiton veterani i cili është i punësuar në sektorin publik, që e ka të drejtën me e përfituar prej këtij 50%-it të pensionit të veteranit. Prandaj ju jepet mundësia vetëm atyre veteranëve të cilët janë të punësuar në sektorin privat… Nuk e kanë asnjë mundësi veteranët të cilët punojnë në sektorin publik ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, për shkak se specifikohet saktë në ligj pra, në këtë ligj që është votuar në vitin 2016, që këtë të drejtë e kanë vetëm veteranët të cilët punojnë në sektorin privat”, shton ai.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se legjislatura e ardhshme do të duhej që ta iniciojë ndryshimin e këtij ligji.

“Sipas ligjit të për veteranët edhe ligjit që është ndryshuar, vetëm veteranët që punësohen në sektorin privat kanë të drejtën ta gëzojnë edhe pensionin e shtetit. Pra nga skemat pensionale të financuara nga shteti. Por jo edhe veteranët të cilët janë të punësuar në sektorin publik. Ky është një diskriminim, ky është një dallim në trajtim të qindra mijëra veteranëve në Republikën e Kosovës, që shteti vetë e ka bërë me miratimin e ligjit për veteranët, pra nga propozimi i qeverisë dhe miratimi i Kuvendit të Kosovës me ligj…Legjislatura e dhjetë që do të vijë, që në muajt e parë, pas themelimit, pas formimit të komisioneve parlamentare, do të duhej që të iniciohej ndryshimi i ligjit për veteranët, në mënyrë që me u heq kufizimi që veteranët me e gëzu edhe pensionin kur ata punësohen në sektorin publik. Një çështje e tillë do të duhej të ishte urgjente, sepse aktualisht edhe sipas ligjit, këta janë duke pasur dallim në trajtim”, shprehet ai.

Labinot Dezdari nga Peja thotë se kërkesa e veteranëve që të gëzojnë beneficionet nga shteti nuk është privilegj por respekt për sakrificën.

“Një shtet që nuk trajton me dinjitet këta që e sollin lirinë, rrezikon të humb edhe besimin e kësaj kategorie por edhe të qytetarëve. Sakrificat janë të shumta, nuk jam për tu diskriminuar asnjë kategori”, përfundon Dezdari.

Në tetor të vitit të kaluar Gjykata Supreme e Kosovës e ka shfuqizuar një nen të udhëzimit administrativ, i cili u kërkonte veteranëve të UÇK-së të paraqesin dëshmi se nuk ishin në marrëdhënie pune për të përfituar nga pensioni.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *