Pre. Shk 13th, 2026

Sekuestrohen mbi 33 mijë euro mallra në Vërmicë

Dogana e Kosovës ka sekuestruar mallra me vlerë mbi 33 mijë euro në Pikëkalimin Kufitar Vërmicë dhe ka ndaluar një person të dyshuar për kontrabandë, bëhet e ditur në një njoftim zyrtar.

Sipas Doganës, më 12 shkurt 2026, rreth orës 12:15, zyrtarët doganorë të Njësisë së Antikontrabandës kanë identifikuar një automjet që nuk i është bindur urdhrit për ndalim dhe është larguar nga pika e kontrollit. Pas reagimit operacional, automjeti është ndaluar në autostradë dhe, nën përcjellje zyrtare, është kthyer në PKK Vërmicë për kontroll të detajuar.

Gjatë kontrollit, është konstatuar se automjeti transportonte dërgesa postare të destinuara për blerës në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas numërimit dhe verifikimit, në automjet janë gjetur 233 pako dhe 1,376 njësi mallrash të ndryshme, me vlerë të përgjithshme prej 33,810.98 euro, ndërsa shmangia nga detyrimet doganore është vlerësuar në 10,075.67 euro.

Malli i sekuestruar përfshinte artikuj tekstili, këpucë, produkte kozmetike, aksesorë, produkte ushqimore dhe mallra të tjera konsumi.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë hetimore të Doganës së Kosovës dhe, me urdhër të prokurorit kompetent, është inicuar rast penal. I gjithë malli është sekuestruar sipas procedurave ligjore, ndërsa automjeti është konfiskuar përkohësisht dhe dërguar në hapësirat zyrtare të Doganës.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe shmangies së detyrimeve doganore, me qëllim mbrojtjen e rendit ekonomik dhe sigurisë së tregut.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *