Die. Shk 8th, 2026

“Drejtësia po bëhet privilegj i të pasurve”, rritja e taksave në gjykatë shihet si mohim i drejtësisë për qytetarët

Nga fillimi i këtij viti ka hyrë në fuqi udhëzimi i ri administrativ për unifikimin taksave gjyqësore, udhëzim me të cilin edhe janë shumëfishuar çmimet.

Kjo rritje e çmimeve më së shumti prek rastet civile dhe administrative e që sipas avokatëve së shpejti do të vërehet ndikimi në rënien e numrit të rasteve që iniciohen në Gjykatë.

Avokati Yll Zekaj thotë se drejtësia po kthehet në privilegj vetëm për ata që janë të pasur.

“Këshilli Gjyqësor nuk ka gjetur mënyre tjetër për ta ulur numrin dhe për ta menaxhuar këtë numër të lartë të lëndëve në Këshillin Gjyqësor dhe zgjidhja më e lehtë si duket është gjetur ajo që të rriten taksat dhe të sigurohet që qytetarët, bizneset të mendohen dy herë për ta dërguar një lëndë në procedurë gjyqësore për shkak të shpenzimeve të larta procedurale që do u shkaktohen”, ka deklaruar Zekaj.

“Kjo taksë justifikohet në shërbimet që qytetari merr nga gjykata pra shërbimet administrative e të ngjashme vetëm një rast bazik psh certifikata një letër a4 certifikatë se një biznes nuk i është nënshtruar procedurës së falimentimit e cila merret në Gjykatën Komerciale para këtij udhëzimi ka kushtuar 5 euro ndërsa tani e njëjta është bërë 30 euro, kjo pa dyshim është vetëm zhvatje e bizneseve për një shërbim tejet bazik që do duhej të ofrohej në mënyrë elektronike”, ka deklaruar Qendrim Arifi – Avokat.

Ndërkohë, në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se Këshilli Gjyqësor duhet të reflektojë e të ndryshojë këtë udhëzim administrativ.

“Ne e kemi një administratë të papërgjegjshme që po i detyron qytetarët që të drejtën e tyre ta kërkojnë përmes gjykatës dhe kjo eventualisht mund të e favorizoj një administratë të papërgjegjshme dhe jo ta fuqizojë qytetarin, taksa është diçka duhet paguar mirëpo definitivisht duhet të jetë proporcionale në të kundërtën rrezikon qasjen e qytetarëve në drejtësi”, ka theksuar Gzim Shala – Hulumtues në IKD, shkruan RTVDukagjini.

Pavarësisht reagimeve që ka nxitur sidomos tek komuniteti i avokatëve, asnjë ankesë nuk ka shkuar zyrtarisht në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Kështu kanë thënë për televizionin nga ky institucion, e për arsyetimin e të cilit thanë se duhet të referohemi në komunikatën e lëshuar javë më parë, në të cilën kishin thënë se ndryshimi i udhëzimi është bërë me qëllim të përshtatjes me realitetin ekonomik dhe standardet aktuale në Republikën e Kosovës.

Udhëzimi i vjetër administrativ ishte në fuqi nga viti 2017.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *