Sot rreth orës 09:15 është përfshirë nga flakët një objekt në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik në afërsi të udhëkryqit me rrugën “Driton Islami” në Ferizaj.
Zëdhëndës polici për rajonin e Ferizaj, Kanun Veseli, ka njoftuar se ekipe të shumta të zjarrfikësve të Ferizajt, si dhe të komunave tjera që kanë ardhur në asistim, dhe janë duke punuar intensivisht për lokalizimin e zjarrit, në mënyrë që ai të mos përhapet në objektet përreth.
Veseli bëri të ditur se dëmet materiale dyshohet të jenë të konsiderueshme, ndërsa shkaqet e zjarrit për momentin mbesin të panjohura.
“Sot, më datë 20.11.2025, rreth orës 09:15, policia ka pranuar një informatë për një incident zjarri që ka përfshirë një kompani – depo të materialeve, e cila ndodhet në rrugën magjistrale Ferizaj–Kaçanik, në afërsi të udhëkryqit me rrugën “Driton Islami” në Ferizaj.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendngjarje kanë dalë ekipet e zjarrfikësve, si dhe njësitë policore të stacionit dhe hetimeve.
Nuk raportohet për persona të lënduar.
Dëmet materiale dyshohet të jenë të konsiderueshme, ndërsa shkaqet e zjarrit për momentin mbesin të panjohura dhe do të përcaktohen pas përfundimit të hetimeve.
Policia ka siguruar perimetrin e zonës së incidentit me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe stafit operues.
Vazhdim i reagimit në terren
Ekipe të shumta të zjarrfikësve të Ferizajt, si dhe të komunave tjera që kanë ardhur në asistim, janë duke punuar intensivisht për lokalizimin e zjarrit, në mënyrë që ai të mos përhapet në objektet përreth.
Ndërkohë, në vendngjarje ndodhen edhe njësi të shumta policore, të cilat po monitorojnë situatën dhe po sigurojnë zonën e incidentit”, ka bërë të ditur Veseli.

