Enj. Nën 13th, 2025

Durkee në Hagë: S’e kam lexuar aktakuzën dhe s’e di për çfarë akuzohen këta persona

Ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee gjatë dëshmisë së tij në Hagë duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Silvia D’Ascoli tha se nuk e ka lexuar aktakuzën në rastin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në të cilin tashmë është edhe dëshmitar.

“Jo nuk e kam lexuar”, tha dëshmitari Durkee.

Ai tha se nuk ka dijeni se për çfarë krimesh akuzohen nga Gjykata Speciale katër të akuzuarit.

“Jo nuk e di”, deklaroi dëshmitari Durkee.

Dëshmitari u pyet nga prokurorja se a e dinte që më 1998-ën dhe 1999 ka pasur disa raporte për krime që dukej sikur ishin të organizuara prej UÇK-së

“Kam dëgjuar dhe kam dijeni për raporte të tilla”, u përgjigj Durkee.

Më pas, ai u pyet se a kishte dijeni për akuza për krime që janë kryer kundër personave të mbajtur në Qendrën e Ndalimit që administroheshin nga UÇK-ja më 1998-ën dhe 1999-ën.

“Kam dëgjuar për raportime të këtij lloji”, tha ai.

Durkee: Në Mons, Thaçi u identifikua vetëm si udhëheqës i Drejtorisë Politike

Dëshmitari Michael Durke tha se Hashim Thaçin kur e kishte takuar në Mons të Belgjikës, ky i fundit ishte identifikuar vetëm si udhëheqës i Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe jo si komandant.

“Nuk mendoj. Në kohën kur jemi takuar me Thaçin ne Mons, nuk besoj që ai ishte identifikuar si një person udhëheqës apo komandant i Shtabit të Përgjithshëm. Ai ishte identifikuar si një udhëheqës dhe po citoj: i Drejtorisë Politike të UÇK-së. Do të ishe e ndarë natyrisht nga Shtabi i Përgjithshëm”, tha Durkee duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Silvia D’Ascoli.

Ai tha se edhe para Rambujesë e njihte vetëm si të tillë Thaçin. Kjo për shkak të raportimeve publike.

“Mendoj që ai ishte identifikuar në raportime publike si udhëheqësi i të ashtuquajturës Drejtori Politike e UÇK-së”, deklaroi ai.

Durkee tha se vetëm kaq dinte për Thaçin. Madje, ai shtoi se nuk e dinte se kush ishin themeluesit e UÇK-së.

“Nuk mendoj që në atë kohë kishim njohuri të shumta dhe informacione lidhur me zhvillimin e UÇK-së dhe kjo deri në vitin 1998 deri në fillim të 1999-ës”, tha ai tutje.

Dëshmitari Durkee u pyet nga prokurorja se a e dinte nëse Thaçi ishte njëri prej anëtarëve të parë të Shtabit të UÇK-së.

Ai tha se nuk ka njohuri konkrete edhe për përfshirjen e Thaçit në furnizim me armë ose në ngjarjen e Bardhit të Madh në korrik të 1998-ës.

“Nuk kam njohuri se çfarë mund të ketë bërë ai në ’98-ën”, tha ai.

Ai tha se ka dijeni që lëshoheshin komunikata, por nuk e di për ndonjë raport që është lëshuar nga zonat operative të UÇK-së t’i drejtohej dikujt në Shtab të Përgjithshëm.

Ai mohoi se ka dijeni për vizita të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nëpër zonat operative.

“Ne kishim njohuri të kufizuara dhe të përgjithshme në lidhje me atë se çfarë po ndodhte në nivelin e zonave operative sepse secila prej tyre ishte zhvilluar në mënyrë individuale bazuar në interesat dhe kapacitetet e njerëzve që jetojnë në ato zona. Ata fillimisht ishin organizuar si roje fshati dhe më pas ishin zhvilluar në forca të organizuara ushtarake”, tha ai.

Durkee theksoi se nuk di edhe për transferimet që mund të kenë ndodhur nga një zonë në zonën tjetër.

Për disa pyetje të cilat përmbajnë informacion konfidencial, seanca kaloi në sesion privat për publikun. Vlen të theksohet se mbrojtja e Krasniqit pati shumë pak pyetje për këtë dëshmitar./BetimipërDrejtësi

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *