Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nëse partitë nuk arrijnë të pajtohen për një president konsensual dhe vendosin për një kandidat partiak, atëherë ky post, sipas tij, duhet t’i takojë LVV-së, duke u thirrur në numrin e deputetëve të fituar në zgjedhje.
Me këtë pretendim, ai la të kuptohet se Vetëvendosje me partnerët e saj të koalicionit duhet t’i zotërojë tri pozitat kryesore institucionale në shtet.
Kurti, të premten, pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, që rezultoi të ketë qenë i pafrytshëm, vuri përballë ‘fuqinë” e 53 mandateteve tëe listës së udhëhequr nga LVV-ja me 47 sa kanë së bashku PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja.
“Por nëse nuk ka president konsensual, edhe nëse vijmë tek presidenti partiak, atëherë është Lëvizja Vetëvendosje. Parti për parti jemi ne. Sepse ne i kemi 53 deputetë e tre të tjerë së bashku: PDK 22 deputetë, LDK 18 dhe AAK 7, gjithsej bëjnë 47. Pra ne 53, ata 47”, u shpreh Kurti.
Megjithatë, 53 mandatet të cilave iu referua Kurti nuk janë vetëm të Vetëvendosjes, por të listës së përbashkët zgjedhore të udhëhequr nga kjo parti, ku bëjnë pjesë edhe Guxo, Alternativa dhe PSHDK-ja. Katër prej këtyre mandateve u takojnë përfaqësuesve të Guxo-s – Donika Gërvalla, Liza Gashi, Blerim Gashi dhe Valon Peci – ndërsa një mandat e ka kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila. Nëse i hiqen këta, i bie që VV, e vetme, ka vetëm një deputet më tepër se opozita. Nëse llogaritet përqindja, i bie që Kurti, me më pak se 45 përqind të votave (pa Guxo dhe Alternativën) në nivel vendi, pretendon ta marrë gjithë pushtetin, në të trija institucionet, për partinë e tij.
Ai e ka përdorur rezultatin zgjedhor të subjektit që i prin edhe për të kundërshtuar kërkesën e LDK-së për atë që kjo parti e quan “balancë institucionale”, duke thënë se marrëveshja politike duhet të ndërtohet mbi vullnetin e dalë nga zgjedhjet.
“Ajo çfarë nga ne kërkohet është marrëveshje politike mbi vullnetin e popullit, mbi vullnetin demokratik. Pra, pikënisja jonë është vullneti demokratik. Nuk do të duhej që me marrëveshje politike të bëhej balancë demokratike, sepse balanca demokratike është tashmë e normuar brenda kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës”, tha Kurti.
Ai e lidhi mosarritjen e marrëveshjes edhe me atë që e quajti “ambicie dhe apetit” të LDK-së për postin e presidentit.
“Në këtë situatë, ku kemi ambicie dhe apetit që LDK-ja ta ketë presidentin, ju e dini se për të kandiduar për president duhen 30 nënshkrime, ndërsa për t’u zgjedhur duhen 61 vota. Ka një shpërputhje të madhe midis rezultatit përkatës dhe ambicieve konkrete dhe ky është problemi i mosarritjes së marrëveshjes deri tani”, deklaroi Kurti.
Lexo po ashtuZjarr i madh në Viti, dëme në dyqanin e teknikës së bardhë, dyshohet nga energjia elektrikePavarësisht kësaj, kreu i LVV-së tha se opsioni i tij i parë mbetet një president konsensual dhe jo një kandidat partiak.
“Unë po them: Le të mos zgjedhim president partiak. Le të shkojmë me një figurë akademike, profesionist të dëshmuar, me vlera, me kontribute, me merita shoqërore e kombëtare në vendin tonë. Unë besoj që ka dhjetëra të tillë së paku. Një dyzinë sosh unë mund t’jua përmend edhe sot këtu”, tha Kurti.
Në anën tjetër, Abdixhiku ka thënë se palët janë “shumë, shumë larg” një marrëveshjeje, duke insistuar se LDK-ja nuk do të hyjë në një marrëveshje pa atë që e quan balancë institucionale.
“Nuk kam lajme të reja, por mund t’ju them se jemi shumë, shumë larg një marrëveshjeje eventuale dhe nuk mund të them se pres të ndryshojë diçka pa ndryshuar pozicionet e partive politike. Për LDK-në, balanca institucionale është e domosdoshme dhe përderisa nuk ka balancë institucionale, atëherë nuk mund të ketë as marrëveshje politike”, deklaroi Abdixhiku.
Ai e bëri të qartë se pika kryesore e mospajtimit mbetet posti i presidentit. LDK-ja kërkon që kandidati për kreun e shtetit të propozohet nga kjo parti, ndërsa emri më pas të diskutohet me partnerët.
“Është çështja e presidentit. LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët tanë dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordim”, tha Abdixhiku.
Ai e cilësoi të pamjaftueshme ofertën që LDK-ja të jetë pjesë e qeverisjes përmes postit të zëvendëskryeministrit dhe disa ministrive.
“Oferta e deritashme, që tashmë e keni të qartë, që LDK të marrë vetëm zëvendëskryeministrin dhe disa ministri, nuk është e mjaftueshme. Nuk qëndron, nuk është e mjaftueshme dhe nuk përbën zgjidhje për krizën në të cilën jemi tani. Pra, nuk mund ta trajtojmë me seriozitet dhe nuk mund ta pranojmë si të tillë. Nëse e doni LDK-në në qeverisje, atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar”, deklaroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së tha se është i gatshëm të diskutojë edhe për emrat e mundshëm për president, por vetëm pasi Kurti të pranojë që e drejta e propozimit t’i takojë partisë së tij.
“Në momentin që Kurti pranon që propozimi të nisë nga LDK-ja, atëherë pajtohemi edhe për emra, i flasim, i diskutojmë. Por, në qoftë se nuk pajtohet që propozimi të nisë nga LDK-ja, atëherë s’kemi pse të propozojmë emra”, tha ai.
Pavarësisht dallimeve për presidentin dhe qeverisjen, Abdixhiku kërkoi që procesi i konstituimit të Kuvendit të mos mbahet peng nga negociatat politike. Ai tha se i ka kërkuar Kurtit që të bëjë gjithçka që është e mundur për vazhdimin e seancës konstituive.
“Duhet të konstituohet Kuvendi, duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit, duhet të zgjidhet Kryesia. Ia njohim të drejtën Vetëvendosjes që ta ketë kryetarin e Kuvendit. Na lejoni edhe neve t’i kemi nënkryetarët tanë në Kuvendin e Kosovës e mos të futemi në kriza procedurale tutje, por të përpiqemi që edhe pas konstituimit të Kuvendit të gjejmë zgjidhje”, deklaroi Abdixhiku./kp

