Lëvizja Vetëvendosje i ka kthyer përgjigje letrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, duke e ftuar këtë të fundit të reflektojë në vendimin e tij dhe të pranojë ftesën për takim.
Gjatë ditës, Hamza dërgoi letër në adresën e LVV-së, duke refuzuar ftesën për takim dhe duke pohuar se PDK-ja është e vendosur të qëndrojë në opozitë përgjatë kësaj legjislature, .
Kreu i PDK-së i kërkoi Kurtit që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Nga ju kërkojmë që sot, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të ndërmerrni hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja”.
Në letrën e re që kreu i LVV-së, Albin Kurti, nisi në adresën e Hamzës, shprehet paqartësia për refuzim të takimit.
“Më duhet ta pranoj se nuk po e kuptoj pse të mos takohemi dhe t’i bisedojmë shumë gjëra shtruar për hir të institucioneve të Republikës dhe interesit të qytetarëve. Komunikimi ynë duhet të jetë politik e kolegjial nga afër dhe jo vetëm zyrtar e me letra nga larg. Sidoqoftë, unë po i përgjigjem qëndrimit që keni shprehur ju në letrën e sotme” shkroi Kurti.
Tutje, ai tha se respekton vendimin e PDK-së për të qëndruar në opozitë, por rikujton rëndësinë e përgjegjësisë për të zgjedhur presidentin.
“E respektoj pozicionin tuaj për të mbetur në opozitë. Mirëpo, edhe konstituimin e Kuvendit edhe zgjedhjen e Presidentit/es të ri/e duhet ta bëjmë të gjithë bashkë siç e kërkon kushtetutshmëria tek e cila u betuam si deputetë të rinj dje. Ju letrën e përmbyllni duke thënë se “PDK do të japë kontributin e saj për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Kontributi i juaj në këtë pikë është veçse propozimi i emrit për nënkryetar nga partia juaj e i/e cili/ a zgjedhet vetëm pasi të votojmë edhe ne për të. Kontribut real mund të jepni pikërisht te zgjedhja e Presidentit/es, e cila do të na i evitonte edhe një palë zgjedhje të panevojshme e të paarsyeshme, gjithsesi të dëmshme si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për ekonominë e vendit” shkroi tutje Kurti.
Me këtë rast, ai rikujtoi edhe ofertën për pozitën e kryetarit të Kuvendit.
“Meqë refuzoni të takohemi, më lejoni t’ua përsëris edhe njëherë ofertën tonë. Për qëndrimin tuaj në sallë dhe për pjesëmarrje në votimin për President/e të ri/e të Republikës jemi të gatshëm që ta bëjmë rokadën e nënkryetarit/es suaj të Kuvendit me kryetarin/en e Kuvendit nga ne. Ky do të ishte një kontribut i juaji me përfitim për PDK-në: udhëheqjen e njërës nga tri pozitat e larta politike shtetërore në Republikën e Kosovës.”
Letra e Kurtit përfundoi me thirrjen për ritakim të menjëhershëm.

