Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë sot se ekziston një “dallim drastik” mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa ka bërë të ditur se ende nuk është arritur marrëveshje politike me këtë parti.
Pas takimit të sotëm me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kurti tha se pritjet e palëve janë të ndryshme dhe qëndrimet e tyre nuk përputhen.
“Ajo çfarë nga ne kërkohet është marrëveshje politike mbi vullnetin e popullit, mbi vullnetin demokratik. Pra, pikënisja jonë është vullneti demokratik. Nuk do të duhej që me marrëveshje politike të bëhej balancë demokratike, sepse balanca demokratike është tashmë e normuar brenda kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës. Në këtë situatë, ku kemi ambicie dhe apetit që LDK-ja ta ketë presidentin, ju e dini se për të kandiduar për president duhen 30 nënshkrime, ndërsa për t’u zgjedhur duhen 61 vota. Ka një shpërputhje të madhe midis rezultatit përkatës dhe ambicieve konkrete dhe ky është problemi i mosarritjes së marrëveshjes deri tani”, tha Kurti.
Ai tha se preferenca e parë mbetet një president konsensual, por nëse kjo nuk arrihet, atëherë presidenti duhet të vijë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Por tash, natyrisht që preferenca jonë e parë është presidenti konsensual. Por nëse nuk ka president konsensual, edhe nëse vijmë tek presidenti partiak, atëherë është Lëvizja Vetëvendosje. Parti për parti jemi ne. Sepse ne i kemi 53 deputetë e tre të tjerë së bashku: PDK 22 deputetë, LDK 18 dhe AAK 7, gjithsej bëjnë 47. Pra ne 53, ata 47”, u shpreh ai.
Kurti përsëriti thirrjen që të mos zgjidhet një president partiak, por një figurë që gëzon mbështetje të gjerë.
“Unë po them: Le të mos zgjedhim president partiak. Le të shkojmë me një figurë akademike, profesionist të dëshmuar, me vlera, me kontribute, me merita shoqërore e kombëtare në vendin tonë. Unë besoj që ka dhjetëra të tillë së paku. Një dyzinë sosh unë mund t’ju ia përmend edhe sot këtu”, tha Kurti.
Ai tha se përpjekjet duhet të përqendrohen në gjetjen e një zgjidhjeje që do të shmangte mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.
“Unë jam i bindur që duhet të përqendrohemi përpara, që nënkupton edhe evitimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat, sikurse ato të mëhershmet, ishin të panevojshme, të paarsyeshme e, madje, edhe të dëmshme për buxhetin dhe ekonominë e vendit”, tha ai.
Kurti ka insistuar se një marrëveshje duhet të përfshijë edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke paralajmëruar se konstituimi i Kuvendit pa zgjidhjen e kësaj çështjeje mund ta rikthejë vendin në të njëjtën situatë.
“Nuk është e mundur ndryshe pa një marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Në kushtet kur zgjedhim kryetarin dhe Kryesinë e Kuvendit, por më pas vijmë sërish te problemi i presidentit, kjo është një formulë tashmë e provuar dhe me të njëjtën metodë nuk mund të kemi rezultat tjetër”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, një skenar i tillë do ta çonte vendin përsëri drejt shpërndarjes së Kuvendit.
“Kjo do të na çonte në shpërndarjen e Kuvendit”, përfundoi Kurti.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse do ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive, Kurti tha se kjo nuk është në kompetencën e tij, pasi ai është vetëm kryeministër në detyrë dhe jo kryesues i seancës.
“Ju e dini që unë jam vetëm kryeministër në detyrë, nuk jam kryesues i seancës konstituive. Është shumë mirë që seanca konstituive ka nisur, pra ajo ka nisur dje. Kur do të vazhdojë, e vendos kryesuesi i seancës. Nuk jam takuar me të dhe nuk kam ndërmend të takohem me të, sepse kam shumë punë”, tha Kurti.

