Mar. Nën 3rd, 2026

Zulfaj: Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, ka bërë të ditur se Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes, si pasojë e mospërmbushjes së gjashtë hapave reformues brenda afatit të qershorit 2026, raporton KosovaPress.

Gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, Zulfaj tha se Kosova ka përpara edhe 22 hapa reformues, në vlerë prej 131.5 milionë eurosh, të cilët duhet të përmbushen deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Ai bëri të ditur se Plani i Rritjes për Kosovën kap vlerën e përgjithshme prej 882.6 milionë eurosh, prej të cilave dy të tretat janë kredi, ndërsa zbatimi i planit lidhet me përmbushjen e 111 hapave reformues deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm..

Zulfaj njoftoi se nga 13 hapat reformues që kishin afat shtesë deri në qershor të vitit 2026, janë përmbushur vetëm shtatë, ndërsa gjashtë të tjerë nuk janë realizuar. 

“Siç e dini, plani i rritjes për Kosovën kap vlerën e 882.6 milion euro, ku 2/3 janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, deri në fund të gushtit të vitit që vjen.. Më 15 korrik të këtij viti, kemi dorëzuar kërkesën e parë për pagesë, me 20 hapa të zbatuar, në vlerë prej 153.4 milion euro, shuma përfundimtare do të varet prej vlerësimit të Bashkimit Evropian, me ç’rast po besojmë që në këto ditë e para të nëntorit do ta bëjnë të ditur se sa realisht do të jetë vlerësimi i saktë. Nga 13 hapa në periudhën shtesë, deri në qershor 2026, zbatuam shtatë dhe gjashtë jo. Llogaritet mbi 40 milion euro, ose më saktë 43.8 milion euro, të cilat kanë humbur në afatin e qershorit”, tha ai.

 

Ai shpjegoi se shumica e reformave të papërmbushura kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvendin e Kosovës, në periudhën kur institucioni ligjvënës ishte i shpërndarë.

Ndër reformat që nuk janë përmbushur brenda afatit, Zulfaj përmendi Ligjin për Energjinë, Ligjin për Falimentimin, pakon ligjore për drejtësinë dhe Strategjinë kundër Krimit të Organizuar. Ai theksoi se këto reforma do të vazhdojnë të procedohen për miratim, pavarësisht humbjes së mjeteve financiare të lidhura me afatet.

 Ai theksoi se dy nga hapat që skadojnë më 31 dhjetor janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Kuvendit. Këtu përfshihen themelimi i Komisionit për Ndihmë Shtetërore dhe masat apo ndëshkimet që lidhen me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Për shkak të afateve të shkurtra, Zulfaj kërkoi mobilizim institucional dhe procedura të përshpejtuara për miratimin e reformave.

Gjatë diskutimit, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ngriti çështjen e miratimit të Kodit Civil, duke kërkuar të dijë nëse qeveria ka siguruar votat e nevojshme për kalimin e tij në Kuvend.

Ajo kërkoi sqarime edhe për mundësinë e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, ndikimin e zhvillimeve politike në Serbi në procesin integrues të Kosovës, pezullimin e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për Marrëveshjen e Brukselit, Aneksin e Ohrit dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në përgjigje, Zulfaj sqaroi se Kodi Civil është pjesë e hapave reformues dhe se përgjegjësia për miratimin e tij i takon Kuvendit.

Lidhur me mundësinë e hapjes së negociatave për anëtarësim, Zulfaj përsëriti qëndrimin se Kosova i përmbush kriteret e nevojshme, ndërsa vendimi varet nga vullneti politik dhe uniteti brenda Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, për pyetjet që lidheshin me dialogun Kosovë-Serbi, zhvillimet politike në Serbi, marrëveshjet e Brukselit dhe dialogun strategjik me SHBA-në, Zulfaj tha se këto çështje nuk janë pjesë e përgjegjësive të tij.

Postime të Ngjashme