Mar. Sht 8th, 2026

Zjarret në Shqipëri, 12 vatra ende aktive

Situata e zjarreve gjatë ditës së sotme në Shqipëri vijon të menaxhohet me angazhim të lartë të strukturave operacionale në terren dhe mbështetje nga ajri.

Në rang vendi janë raportuar 22 vatra zjarri, prej të cilave 12 aktive, 9 nën mbikëqyrje dhe 1 e shuar. Në operacione janë angazhuar 498 forca vendore dhe lokale dhe 314 efektivë të Forcave të Armatosura, krahas mjeteve zjarrfikëse, mjeteve mbështetëse, autoambulancave, dronit dhe 4 operacioneve me helikopterë, raporton topchannel.

QARKU TIRANË: Në Malin e Dajtit zjarri vijon aktiv në sipërfaqe me pyll ahu dhe shkurre. Në operacion janë angazhuar 25 efektivë zjarrfikës, 7 forca të ADM-së, si dhe 55 efektivë të FA, 5 mjete, 1 autoambulancë dhe 1 helikopter. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra në Kryezi të Kavajës është shuar, ndërsa në Malin e Bërzhitës zjarri është izoluar dhe mbahet nën monitorim nga strukturat vendore.

QARKU DIBËR: Vijojnë aktive vatrat në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh në Mat, Qafën e Helmes në Bulqizë dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos. Në Lundre–Madhesh, krahas forcave vendore, pyjore dhe vullnetare, operacioni mbështetet nga 22 efektivë të FA, 3 mjete dhe 1 autoambulancë. Në të gjitha këto vatra raportohet se nuk ka rrezik për zonat e banuara, ndërsa në Lundre–Madhesh zjarri ndodhet në lartësi dhe në distancë të konsiderueshme nga banesat.

QARKU LEZHË: Aktive mbeten vatrat në Gallatë të Kurbinit dhe në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet të Bashkisë Lezhë. Në Gallatë ndërhyrja vështirësohet nga terreni, por nuk ka rrezik për banesat. Një angazhim i konsiderueshëm vijon në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku janë 100 forca vendore, pyjore dhe vullnetare, të mbështetura nga 124 efektivë të FA, 16 mjete, 2 autoambulanca dhe 1 helikopter. Edhe këtu nuk raportohen zona të banuara në rrezik.

QARKU ELBASAN: Vatra në Malin e Qukësit, Prrenjas, është nën mbikëqyrje dhe monitorohet nga MZSH. Në Gurëshpatë të Librazhdit zjarri vijon aktiv dhe në terren është angazhuar MZSH Librazhd me 1 automjet dhe 6 efektivë. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

QARKU SHKODËR: Situata po ndiqet në disa zona. Vatra mbi Ludric dhe Shopel në Fushë-Arrëz është nën mbikëqyrje. Në Mnelë të Vogël, Vau-Dejës, zjarri vijon aktiv dhe operacioni mbështetet nga 27 efektivë të FA, 3 automjete zjarrfikëse, 1 autobot dhe 1 helikopter, krahas strukturave vendore. Në Bardhaj–Myselim, vijon puna me forca të MZSH-së, Shërbimit Pyjor, bashkisë dhe vullnetarë, të mbështetur nga 43 efektivë të FA dhe mjete, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatra në Bërdicë është nën mbikëqyrje. Në Malin e Tërbunit, Pukë, zjarri vijon aktiv në pyll me pishë; në operacion janë forcat vendore dhe 32 efektivë të FA me 3 mjete dhe 1 autoambulancë. Edhe në Tërbun nuk ka rrezik për zonat e banuara.

QARKU VLORË: Në Bolenë të Himarës, vatra është nën mbikëqyrje nga MZSH Himarë. Në Qesarat të Finiqit zjarri, i shfaqur gjatë ditës së sotme në sipërfaqe me shkurre, vijon aktiv; në operacion është MZSH Finiq dhe është kryer edhe ndërhyrje me 1 helikopter.

QARKU FIER: Vatrat në Peshtan të Fierit dhe Çërrilë të Mallakastrës janë tashmë nën mbikëqyrje. Strukturat zjarrfikëse vijojnë monitorimin e tyre në terren për të parandaluar riaktivizimet.

QARKU DURRËS: Në Halil të Krujës, zjarri që ishte shfaqur pranë zonave të banuara është izoluar dhe shuar, ndërsa zona vijon të mbahet nën monitorim nga MZSH Krujë.

QARKU KUKËS: Vatra në Mamëz, njësia administrative Kolsh, e shfaqur sot në sipërfaqe me shkurre dhe pisha, është nën mbikëqyrje. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Postime të Ngjashme