Pre. Tet 23rd, 2026

Shiroka Pula takohet me presidentin hungarez

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, u prit në takim nga homologu hungarez, András Baka, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, procesin e integrimit evropian të Kosovës, bashkëpunimin ekonomik dhe çështjet e sigurisë në rajon.

Presidentja Shiroka Pula vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke rikujtuar se Hungaria ishte ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës, më 19 mars 2008. Ajo shprehu interesimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.

Në këtë kontekst, Presidentja theksoi rëndësinë e identifikimit të fushave të reja të bashkëpunimit, veçanërisht në ekonomi, arsim dhe mbrojtje.

Duke folur për integrimin evropian, Presidentja Shiroka Pula theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synim strategjik i Kosovës, ndaj kërkoi mbështetjen e Hungarisë për avancimin e vendit drejt statusit të kandidatit për anëtarësim dhe hapave të mëtejshëm të procesit integrues.

Presidentja Shiroka Pula shprehu mirënjohjen për kontributin e Hungarisë në misionin e KFOR-it, në Kosovë, duke vlerësuar rëndësinë e këtij kontributi për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit.

Në fund të takimit Presidentja Shiroka Pula ftoi Presidentin Baka për vizitë në Kosovë në një kohë të përshtatshme për të dy palët.

 

Postime të Ngjashme