Ambasada Gjermane në Kosovë ka rikonfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për integrimin evropian të Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në një postim në rrjetet sociale, pas Samitit të Procesit të Berlinit, të mbajtur të enjten në Sveti Stefan të Malit të Zi, ambasada ka cituar kancelarin gjerman, Friedrich Merz, i cili ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet.
Sipas ambasadës, bashkëpunimi rajonal tashmë po sjell përfitime konkrete për qytetarët. Ndër to janë lehtësimi i tregtisë, njohja e kualifikimeve profesionale dhe krijimi i më shumë mundësive për të rinjtë.
Ambasada Gjermane ka falënderuar Malin e Zi për udhëheqjen e Procesit të Berlinit dhe organizimin e programit gjithëpërfshirës gjatë këtij viti.
Po ashtu, ajo i ka uruar suksese Austrisë, e cila do të marrë kryesimin e ardhshëm të Procesit të Berlinit, me fokus te të rinjtë, pajtimi dhe bashkëpunimi rajonal.

