Enj. Tet 22nd, 2026

Vera me e nxehtë në histori të Evropës, rezulton me 30 mijë të vdekur

Dy muajt e fundit ishin më të nxehtit në historinë e vendeve të Evropës Perëndimore, sipas të dhënave të fundit nga shërbimi evropian “Copernicus”.

Periudha qershor-korrik shënoi një temperaturë mesatare prej 21.62 gradë Celsius, plot 2.79 gradë mbi mesataren historike, duke thyer rekordet e mëparshme të vitit 2022.

Gjermania, Spanja, Franca dhe Uellsi në Britaninë e Madhe regjistruan valë të njëpasnjëshme ku temperaturat kaluan pragjet kritike.

Kjo valë konsiderohet si përgjegjëse edhe për deri 30 mijë të vdekur në këto vende.

Përveç ajrit, edhe ujërat e deteve dhe oqeaneve shënuan rekord historik për muajin korrik, me një temperaturë mesatare prej 20.96 gradë Celsius, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 20.89 gradësh të vendosur në vitin 2023.

Ky i nxehtë i jashtëzakonshëm i ujërave ka përshpejtuar thatësirën në lumenjt kryesorë evropianë si Sena, Reni apo Danubi, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë se toka e tharë do të mbajë temperaturat ekstreme edhe gjatë muajve në vijim.

Postime të Ngjashme

Diamanti rozë mbretëror që u vodh dhe u gjet brenda një molle, ekspozohet pas 100 vjetëshNjë diamant i rrallë rozë, i njohur si “Grand Condé”, do të ekspozohet në Francë për herë të parë që nga viti 1926, kur u vodh gjatë një grabitjeje në kështjellën historike Château de Chantilly. Guri i çmuar, me peshë nëntë karatësh dhe me formë dardhe, konsiderohet një prej xhevahireve të rralla mbretërore që i mbijetuan Revolucionit Francez. Ai do të qëndrojë i ekspozuar në Muzeun Condé, në Château de Chantilly, deri më 3 janar. Historia e diamantit është po aq e pazakontë sa edhe vlera e tij. Në tetor të vitit 1926, hajdutët hynë gjatë natës në kështjellë dhe e vodhën gurin e çmuar, të cilin më pas e fshehën brenda një molle të zgavruar. Diamanti u zbulua disa javë më vonë, në rrethana të pazakonta. Një shërbëtore e uritur, në hotelin ku po qëndronin hajdutët, kafshoi mollën dhe hasi në gurin e çmuar, duke zbuluar kështu vendin ku ishte fshehur. Drejtori i muzeut, Mathieu Deldicque, deklaroi se, megjithëse historia mund të duket e pabesueshme, ajo ishte raportuar gjerësisht në gazetat e kohës. Ekspozimi i diamantit vjen në një kohë kur institucionet kulturore evropiane janë përballur me grabitje të bujshme, përfshirë vjedhjen e bizhuterive në Muzeun e Luvrit në Paris. I pyetur nga CNN për rreziqet e mundshme të ekspozimit të një objekti kaq të rrallë, Deldicque nuk bëri të ditur shumën për të cilën është siguruar diamanti, por theksoi se janë kryer studime të gjera shkencore për të përcaktuar karakteristikat e tij dhe për ta identifikuar në mënyrë unike. Përveç diamantit, ekspozita përfshin rezultate të analizave shkencore dhe materiale arkivore të papublikuara më parë, të cilat hedhin dritë mbi historinë e tij dhe grabitjen që ndodhi gati një shekull më parë.