Deputetja Arijeta Rexhepi është zgjedhur kryesuese e Grupit të Grave Deputete në Kuvendin e Kosovës. Zgjedhja e saj është bërë gjatë mbledhjes së sotme të këtij grupi.
Haxhiu ka theksuar se Rexhepi, e cila po ushtron mandatin e saj të katërt si deputete, është angazhuar ndër vite në fushën e arsimit, drejtësisë sociale dhe barazisë gjinore.
Sipas kryetares së Kuvendit, kjo përgjegjësi e re i jep Rexhepit mundësinë të forcojë bashkëpunimin mes grave deputete dhe të avancojë çështjet që lidhen me të drejtat dhe mundësitë e barabarta.
“Me këtë përgjegjësi të re, ajo ka mundësinë të forcojë bashkëpunimin mes grave deputete, të çojë përpara barazinë gjinore dhe ta bëjë zërin e grave edhe më të fortë në Kuvend”, ka deklaruar Haxhiu.
Në fund, ajo i ka uruar Rexhepit suksese në detyrën e re dhe bashkëpunim të frytshëm në kuadër të Grupit të Grave Deputete.

