Shqiptarët në diasporë kanë paralajmëruar disa tubime protestuese në Gjermani dhe Zvicër, pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas njoftimeve të publikuara nga organizatorët, të shtunën, më 19 shtator, një protestë do të mbahet në Köln Hbf, duke filluar nga ora 20:00, .
Protesta është bërë publike me moton “Jo në emrin tim!”, ndërsa organizatorët u bëjnë thirrje shqiptarëve në Gjermani që t’i bashkohen tubimit.
Në posterin e protestës në Këln thuhet se tubimi zhvillohet kundër vendimit të Gjykatës Speciale, ndërsa në materialet promovuese bëhet thirrje për pjesëmarrje dhe shprehje paqësore të qëndrimit.
Një tjetër tubim është paralajmëruar në Cyrih, po më 19 shtator, në Helvetiaplatz, nga ora 15:00.
Sipas njoftimit, tubimi organizohet nga një grup të rinjsh shqiptarë në Zvicër dhe synon të shprehë kundërshtimin ndaj vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ndërkohë, në Shtutgart, protesta është paralajmëruar nesër për në orën 19:00, në Kronprinzplatz.
Organizatorët u bëjnë thirrje pjesëmarrësve që të bashkohen në protestë dhe të marrin me vete flamuj kombëtarë, emblema të UÇK-së dhe të veshin ngjyrë kuqezi.

