Enj. Gus 20th, 2026

Vdekja e punëtorit në KEK, ndalohet një person për 48 orë

Për vdekjen e punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti, 32-vjeçar, Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka ndaluar një person me inicialet A.K., për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘’Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’’.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se sipas të dhënave fillestare, aksidenti ka ndodhur gjatë angazhimit në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6kV, me ç’rast viktima dyshohet se ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda.

Njoftimi i plotë i prokurorisë:

Prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm është njoftuar lidhur me një aksident të ndodhur në Koorporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ku një punëtor ka humbur jetën në vendin e punës.

Sipas të dhënave fillestare, aksidenti ka ndodhur gjatë angazhimit në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6kV, me ç’rast viktima dyshohet se ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda.

Po ashtu, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, Komisioni i Pavarur për miniera dhe minerale (KPMM), Inspektorati i Punës dhe Inspektorati i Brendshëm i Koorporatës Energjetike (KEK), ku me urdhër të Prokurorit kujdestar kanë ndërmarrur të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që kanë çuar deri te humbja e jetës së punëtorit.

Në kuadër të veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, është ndaluar një (1) person me inicialet A.K., për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘’Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’’, nga neni 358 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i çështjes, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë rrethanat dhe provat e grumbulluara si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë edhe kërkesën për caktimin e ndonjërën prej masave të sigurisë ndaj të pandehurit në procedurë penale në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Postime të Ngjashme