Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë po vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj Boban Toniqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.
Në seancën e sotme po dëgjohen ish-të burgosurit e Burgut të Dubravës, të cilët pritet të rrëfejnë para trupit gjykues për trajtimin dhe dhunën që pretendohet se është ushtruar ndaj tyre gjatë luftës.
Gjatë seancës ka dëshmuar dëshmitari Ali Gjyliqi.
“Disa gardianë serbë na kanë njohur, njëra nga pyetjet ka qenë, a jeni gjallë ende a? Ne mbanin duart mbrapa dhe kokën ulur’’, ka thënë ai para trupit gjykues.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Toniq dyshohet se ka marrë pjesë në torturimin dhe keqtrajtimin sistematik të të burgosurve shqiptarë, pas transferimit të tyre nga Burgu i Dubravës në Burgun e Prishtinës, i cili gjatë luftës ishte zhvendosur në Lipjan.
Në cilësinë e dëshmitarëve dhe të dëmtuarve në këtë çështje penale janë propozuar Ali Gjyliqi, Demir Limaj, Rrahman Olluri, Rrahman Berisha, Fehmi Bequku, Shaban Maloku, Sheqfet Mala, Skender Canolli dhe Valon Berisha.

