Aleanca, përmes një aksioni simbolik ka akuzuar deputetët e LVV-së se janë të nënshtruar ndaj liderit të tyre, Albin Kurti dhe zyrtares së lartë të këtij subjekti politik, Dejona Mihali.
Anëtarë të partisë që ka kryetar Ardian Gjini kanë vendosur disa posterë në hyrjen e Kuvendit të Kosovës, me emrin e secilit deputetë të LVV-së e në të cilët thuhet se të apostrofuarit duhet të kenë liri të mendimit, të shprehjes dhe të veprimit nga siç u tha, “regjimi Kurti-Dejona”
Përpara secilit postier është vendosur mbishkrimi “jemi të shqetësuar për lirinë e deputetëve të LVV-së”
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani tha se kolegët e tij nga LVV-së udhëhiqen me grusht të hekurt dhe nuk kanë asnjë liri.
Diçka e tillë, sipas tij, po tentohet të instalohet edhe në institucionet e Kosovës.
“A keni dëgju ndonjëherë ndonjë deputetë apo deputete të LVV-së që flet me mendimin e tyre. Përgjigja është jo pasi partia e tyre udhëhiqet me grusht të hekurt pra është jo demokratike. Ky nuk është problem i kufizuar vetëm në LVV. Problemi këtu është se i njëjti model po tentohet në mënyrë të vrazhdë të vendoset në krejt institucionet e Kosovës dhe shtetin e Kosovës.
Ai tha se deputetët e LVV-së kanë filluar të ankohen për këtë situatë në të cilën ndodhen, në adresa të caktuara.
“Jo rrallë dhe më adresa të caktuara deputetët e LVV-së kanë filluar të ankohen për bllokimin në grupin parlamentar po e thonë që nuk e kanë lirinë e shprehjes dhe mendimit personal më lidhje me situatën e bllokimit të shtetit”, përfundoi.

