Ukraina ka përdorur një grup prej 28 robotësh dhe dronësh tokësorë në një sulm ndaj pozicioneve ruse pranë qytetit të Lymanit, në rajonin e Donetskut, duke dëshmuar përdorimin gjithnjë e më të madh të teknologjisë robotike në luftën mes dy vendeve.
Sulmi është raportuar nga kanali rus në Telegram, Voyenny Osvedomitel, i cili mbështet luftën e Moskës. Sipas këtij burimi, operacioni është realizuar me tri lloje të ndryshme të mjeteve robotike, të pajisura për sulme ndaj pozicioneve dhe pajisjeve ushtarake.
Në mesin e mjeteve të përdorura ishin tetë dronë tokësorë kamikazë, të projektuar për të goditur objektivat duke shpërthyer gjatë kontaktit me ta.
Pjesa tjetër e grupit përbëhej nga 18 robotë të armatosur me granatahedhës antitank, ndërsa dy mjete të tjera ishin pajisur me granatahedhës automatikë të tipit Mk 19.

