UEFA ka publikuar të hënën një letër të përbashkët të UEFA-s, AFC-së dhe Concacaf-it, drejtuar “familjes së futbollit”, ku shprehen shqetësime të forta për mënyrën e qeverisjes së FIFA dhe vendimmarrjen e fundit të saj. Njoftimi zyrtar i UEFA-s
Në letrën e publikuar më 10 gusht 2026, tre konfederatat theksojnë se “futbolli është pasioni më i madh i përbashkët në botë” dhe se ai “nuk i përket asnjë individi dhe asnjë institucioni”, por lojtarëve, tifozëve, klubeve, federatave dhe institucioneve që kanë për detyrë të mbrojnë të ardhmen e tij.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, letra kritikon udhëheqjen e FIFA-s, duke theksuar se “lidershipi në futboll nuk është pronë” dhe se drejtimi i futbollit duhet të jetë një “detyrë shërbimi ndaj familjes së futbollit”.
AFC, Concacaf dhe UEFA kundërshtojnë gjithashtu mënyrën se si FIFA e ka trajtuar një propozim të fundit, duke thënë se nuk bëhet fjalë thjesht për një “dështim komunikimi”, por për “dështim gjykimi”.
Sipas tyre, propozimi është avancuar në një afat të shkurtër, pa konsultim domethënës dhe nën presionin e një afati që nuk u ka dhënë federatave kohë të mjaftueshme për ta shqyrtuar.
Një nga kritikat më të forta lidhet me përpjekjen për të “shitur një interes në Kupën e Botës FIFA”, të cilën konfederatat e konsiderojnë një “shkelje themelore të besimit” ndaj institucioneve që FIFA duhet t’u shërbejë.
Tre konfederatat kërkojnë që shqyrtimi i kësaj çështjeje të bëhet nga një palë e tretë plotësisht e pavarur, duke argumentuar se FIFA nuk duhet ta hetojë vetë situatën.
Në letër thuhet gjithashtu se në një takim të fundit të lidershipit të FIFA-s në Marok ishte i pranishëm vetëm një zyrtar i zgjedhur, ndërsa asnjë anëtar i Këshillit të FIFA-s apo përfaqësues i federatave anëtare nuk ishte ftuar.
Në fund, UEFA, AFC dhe Concacaf bëjnë thirrje për unitet në futboll dhe për një udhëheqje që “i shërben futbollit, e jo kërkon ta komandojë atë”.
Letra është nënshkruar nga presidentët e tre konfederatave: Salman bin Ibrahim Al Khalifa (AFC), Victor Montagliani (Concacaf) dhe Aleksander Čeferin (UEFA), si dhe nga sekretarët e përgjithshëm Datuk Seri Windsor John, Philippe Moggio dhe Theodore Theodoridis.

