Enj. Gus 27th, 2026

Trump: Lideri suprem i Iranit është gjallë, por shumë rëndë i plagosur

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se beson që lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është ende gjallë, pavarësisht spekulimeve për vdekjen e tij.

Në një intervistë me komentatorin konservator Glenn Beck, Trump tha se Khamenei ka pësuar lëndime të rënda në anën e majtë të trupit.

“Nuk mendoj se ka vdekur. Ai është plagosur shumë rëndë. Ana e majtë e trupit, krahu, këmba, gjithçka”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan tha se vlerësimin e tij e bazon edhe në sjelljen e negociatorëve iranianë, të cilët, sipas tij, vazhdojnë të thonë se duhet ta marrin miratimin e Khameneit për çështje të rëndësishme.

Mojtaba Khamenei, 56 vjeç, u zgjodh lider suprem i Iranit nga Asambleja e Ekspertëve më 8 mars, disa ditë pasi babai i tij, Ali Khamenei, u vra në sulmet e përbashkëta amerikano-izraelite të 28 shkurtit.

Që nga emërimi, Khamenei nuk është shfaqur publikisht dhe nuk janë publikuar fotografi, video apo regjistrime të verifikuara të tij. Ai mungoi gjithashtu në ceremonitë e varrimit të babait, duke nxitur spekulime për gjendjen e tij shëndetësore.

Revista “The Atlantic”, duke cituar burime pranë Qeverisë iraniane, raportoi se në Teheran po zhvillohen diskutime të shumta për fatin e tij. Ndërkaq, një ish-zyrtar iranian dhe i afërm i familjes Khamenei deklaroi se më pak se pesë persona e kanë takuar atë që nga muaji mars, për shkak të masave të rrepta të sigurisë.

Teherani nuk i ka konfirmuar raportimet se Khamenei ka pësuar djegie të rënda dhe i është nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale në këmbë dhe krahë.

Gjatë së njëjtës intervistë, Trump foli edhe për Ngushticën e Hormuzit, duke pretenduar se kalimi detar tashmë është praktikisht i hapur dhe se shumë anije po kalojnë nëpër të pas pastrimit të minave.

Megjithatë, trafiku tregtar në këtë ngushticë vazhdon të mbetet i kufizuar nga autoritetet iraniane. Trump shtoi se presioni ushtarak dhe ekonomik amerikan ndaj Iranit po jep rezultate dhe po çon drejt asaj që ai e quajti “fitore shumë të madhe”.

Postime të Ngjashme