Një vrasje e rëndë ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në një shtëpi në Prizren, ku një burrë dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij.
Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhësni i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, I cili tha se sot rreth orës 01:30, Policia e Kosovës ka pranuar informatën se në një shtëpi banimi në Prizren është gjetur pa shenja jete një femër 80 vjeçare (L.D.).
Ai tha se në vendngjarje kanë dalë patrulla policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Në shtëpi është hasur edhe bashkëshorti i saj, i cili është shoqëruar në stacionin policor.
“Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit e policisë, forenzikës dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi për veprën penale “Vrasje e rëndë”. Dyshohet se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës janë shkaktuar nga forca duarthatë, pa përdorim të ndonjë arme apo mjeti tjetër”, tha Bytyqi.
Sipas tij, trupi i pajetë është dërguar në IML Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor, ndërsa i dyshuari, bashkëshorti i viktimës, rreth 81 vjeçar (B.D.), është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Sipas tij, sipas evidencave të policisë, çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës të raportuara dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpinë e tyre.
Ai tha se hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të rastit.
/Kosovapress/

