Dita e tretë e protestave në Tiranë u karakterizua nga përplasje të ashpra ndërmjet protestuesve dhe Policisë, sulme ndaj institucioneve shtetërore, bankave dhe bizneseve private, si dhe dëme të shumta materiale. Protesta, e cila filloi në orën 09:00, u përshkallëzua gjatë ditës, duke lënë të lënduar 26 persona, përfshirë edhe dy policë, një nga Durrësi dhe një nga Shkodra, të cilët u dërguan në spital.
Protestues me fytyra të mbuluara përdorën gurë, tulla, mjete të forta dhe fishekzjarrë kundër ndërtesave publike dhe forcave të rendit. Incidentet filluan pranë Ministrisë së Arsimit, ku u shkulën kangjellat dhe u godit godina me gurë. Më pas, tensionet u përhapën në Rrugën e Durrësit, ku u dëmtuan disa biznese, si dhe pranë Kuvendit, ku policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Përplasjet më intensive ndodhën para Kryeministrisë dhe zgjatën rreth 90 minuta. Për të vënë situatën nën kontroll, forcat policore ndërhynë me gaz lotsjellës dhe automjete që hedhin ujë me presion.
Situata u tensionua edhe pranë Ministrisë së Infrastrukturës, ku u thyen xhamat e ndërtesës. Disa protestuese u shtrinë në rrugë për të penguar lëvizjen e policëve, ndërsa këta të fundit përdorën spraj, gaz lotsjellës dhe ujë për të mundësuar kalimin.
Gjatë zhvillimeve të mëvonshme, protestuesit u rikthyen në Rrugën e Durrësit, ku u sulmuan edhe dy biznese afër Muzeut Historik Kombëtar. Në njërin prej lokaleve u thye vitrina dhe u dëmtuan ambientet e brendshme. Nga aty u mor edhe një fikëse zjarri, e cila u hodh mbi materialet që po digjeshin në rrugë.
Sulme pati gjithashtu ndaj Bashkisë së Tiranës dhe selisë së Partisë Socialiste, ku u hodhën gurë dhe fishekzjarrë. Në mesin e institucioneve të tjera të dëmtuara ishin Ministria e Mjedisit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Ekonomisë, ku u shkaktua edhe zjarr. Dëmtime pësuan edhe xhamat e Teatrit të Kukullave.
Protestuesit shënjestruan edhe sektorin bankar. Të paktën katër banka të nivelit të dytë u sulmuan në pjesë të ndryshme të kryeqytetit shqiptar. U thyen dyer dhe xhama, u dëmtuan fasadat, ndërsa në njërën prej bankave protestuesit hynë brenda dhe nxorën jashtë dokumente e dosje. Një bankomat tjetër u shkatërrua plotësisht.
Nga dhuna nuk u kursyen as bizneset private. U sulmuan dyqanet e dy kompanive të telefonisë, ndërsa disa objekte tregtare u dëmtuan dhe u plaçkitën. Në zona të ndryshme u dogjën kioska dhe kabina sigurie, përfshirë kabinën e rojës pranë Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe atë afër Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Edhe gjatë mbrëmjes vazhduan incidentet, me protestues që u kthyen përpara Kryeministrisë dhe ndërmorën sulme të tjera ndaj Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Ekonomisë.
Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një deklaratë për agjencinë Reuters, hodhi poshtë mundësinë e dorëheqjes. Ai theksoi se ndryshimi i qeverive duhet të bëhet përmes procesit demokratik zgjedhor dhe jo nëpërmjet dhunës. Rama shprehu njëkohësisht gatishmëri për të zhvilluar dialog me studentët dhe për të trajtuar kërkesat e tyre legjitime.

