Bashkimi Evropian ka konfirmuar se mbetet i gatshëm të organizojë një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Megjithatë, nga Brukseli ende nuk është caktuar ndonjë datë konkrete për zhvillimin e takimit.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian ka bërë të ditur se shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë për të pritur së shpejti udhëheqësit e të dyja vendeve. Sipas tij, çdo zhvillim lidhur me organizimin e takimit do të bëhet publik në kohën e duhur.
Ky qëndrim i Bashkimit Evropian vjen pas konstituimit të institucioneve të reja në Kosovë, çka ka rikthyer vëmendjen te mundësia e rifillimit të dialogut politik me Serbinë. Në anën tjetër, Serbia po përgatitet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të planifikuara për 25 tetor.
Lidhur me perspektivën e dialogut, profesori dhe bashkëpunëtori i lartë në Institutin për Politikë të Jashtme të Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka vlerësuar se rezultatet konkrete varen nga ndryshimi i qasjes së Bashkimit Evropian ndaj dy vendeve.
Sipas tij, procesi nuk mund të shënojë përparim nëse Brukseli vazhdon ta vendosë në plan të parë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa kërkuar njëkohësisht angazhime përkatëse nga Serbia.
Serwer konsideron se krijimi i Asociacionit mund të jetë i pranueshëm për Kosovën vetëm pasi të jenë larguar kërcënimet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, mundësisht përmes njohjes diplomatike nga Serbia.
Ai ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet t’u japë përparësi çështjeve të tjera, derisa Serbia të tregojë gatishmëri për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Si hap fillestar për avancimin e procesit, profesori amerikan propozon sigurimin e nënshkrimit të Serbisë në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.
Gjithashtu, Serwer kërkon që vëmendja të përqendrohet në zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë, veçanërisht të Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit dhe aneksit të saj të zbatimit.
Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është zhvilluar më 14 shtator 2023 në Bruksel, pa sjellë ndonjë përparim të dukshëm në procesin e dialogut.
Ndërkohë, Kaja Kallas, gjatë takimeve të zhvilluara më 22 shtator me Kurtin dhe Vuçiqin, ka ritheksuar se normalizimi i marrëdhënieve duhet të ecë paralelisht me përparimin e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

