Tetë persona janë arrestuar pas një përleshjeje që ndodhi në orët e para të së shtunës në Veternik të Prishtinës, ku 2 persona mbetën të lënduar.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur dje rreth orës 04:39, prapa një lokali në Prishtinë.
Policia ka bërë të ditur se pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet disa personave, njëri prej të dyshuarve ka shtënë me armë zjarri dhe ka plagosur një person. Ndërsa, një tjetër i dyshuar dyshohet se ka përdorur thikë, duke i shkaktuar lëndime trupore një personi tjetër.
Dy të lënduarve u është ofruar ndihma mjekësore dhe ata janë duke marrë trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes dhe nga personat e dyshuar, policia ka konfiskuar 1 pistoletë, 3 gëzhoja, 2 fishekë, 2 predha, 1 thikë, 1 çelës metalik dhe 1 veturë.
“Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të gjithë të dyshuarit, tetë persona, janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.
Rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë në tentativë”, “posedim ilegal i armës”, “sulm” dhe “pjesëmarrje në rrahje”.
Njësitet kompetente policore janë duke vazhduar hetimet.

