Një tërmet i fuqishëm ka goditur të enjten jugun e Perusë, ndërsa Instituti Gjeofizik Peruan (IGP) ka raportuar se magnituda e tij ishte 7.2 ballë të shkallës Rihter.
Sipas IGP-së, epiqendra e tërmetit ishte rreth 35 kilometra në veri të qytetit Coracora, në departamentin e Parinacochas, ndërsa thellësia fokale u vlerësua në rreth 108 kilometra.
Ndërkohë, Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare dhe Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara e kanë vlerësuar tërmetin me magnitudë 6.7 ballë.
Deri më tani nuk janë raportuar viktima apo persona të lënduar.
Lëkundjet e fundit kanë rikthyer shqetësimet për aktivitetin sizmik në Amerikën Latine, pasi vijnë vetëm disa ditë pas një tërmeti me magnitudë 7.4 ballë në Kolumbi dhe më pak se dy muaj pas dy tërmeteve të forta të regjistruara në Venezuelë.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik të Kolumbisë, Julio Fierro Morales, ka shpjeguar se aktiviteti sizmik në këtë pjesë të kontinentit lidhet me dinamikën tektonike dhe me zhytjen e pllakës Nazca nën pllakën e Amerikës së Jugut.

