Mër. Sht 16th, 2026

Sytë kah Haga/ Sot vendimi historik për çlirimtarët

Sot në Hagë do të mbahet seanca që pritet të shënojë kthesë në historinë e Republikës së Kosovës.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, sot do të dëgjojnë nga Haga shpalljen e aktgjykimit ndaj tyre për krime lufte, raporton IndeksOnline.

Aktgjykimi do të shpallet duke nisur në orën 10:00, ndërsa seanca pritet të zgjasë rreth dy orë. Vendimi do të shpallet veçmas për secilin prej katër të akuzuarve.

Çlirimtarët përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Qe të katër i kanë mohuar akuzat. Prokuroria ka kërkuar dënime të gjata me burgim, ndërsa mbrojtja ka kundërshtuar akuzat dhe pretendimet mbi përgjegjësinë e të akuzuarve.

Shpallja e aktgjykimit po bëhet pas afro 6 vitesh prej kur krerët e Ushtrisë Çlirimtare morën ftesat dhe u nisen drejt Hagës.

Pas shpalljes së vendimit të shkallës së parë, çështja nuk përfundon domosdoshmërisht. Prokuroria dhe mbrojtja kanë të drejtë të apelojnë vendimin, ndërsa procedurat e mëtejshme do të zhvillohen në përputhje me rregullat e Dhomave të Specializuara.

Postime të Ngjashme