Gjykata Supreme e Kosovës i ka reaguar Odës së Avokatëve të Kosovës, e cila ka ngritur shqetësimin lidhur me, siç ka thënë, vonesat e vazhdueshme në trajtimin e ankesave kundër vendimeve me të cilat caktohet apo vazhdohet masa e paraburgimit.
Në reagimin e Supremes thuhet se pas verifikimeve të kryera, “pretendimet për vonesa sistematike në shqyrtimin e paraburgimeve, rezultojnë të pavërteta”.
“Çështjet që kanë të bëjnë me caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit trajtohen me urgjencë dhe prioritet të lartë dhe shqyrtohen brenda afateve të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale, si dhe në përputhje me standardet dhe dispozitat ndërkombëtare që garantojnë mbrojtjen e lirisë personale dhe procesin e rregullt ligjor”, thuhet në reagim.
Në reagim thuhet se nëse Oda e Avokatëve të Kosovës i referohet ndonjë rasti konkret, ku pretendohet se ka pasur tejkalim të afateve ligjore apo vonesa të pajustifikuara, ftohet që t’i adresojë të dhënat te kryetari i Gjykatës.
Në reagimin e Odës së Avokatëve të bërë të hënën thuhej në praktikë vërehen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin dhe dorëzimin e vendimeve nga instancat më të larta gjyqësore.
“Në jo pak raste, vendimet e Gjykatës së Apelit pranohen nga palët pas kalimit të disa javëve, madje ka raste kur masa e paraburgimit vazhdohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa pala ende nuk e ka pranuar vendimin e Apelit lidhur me vendimin paraprak. Vonesa edhe më të theksuara raportohen në procedurat pranë Gjykatës Supreme”, thuhet në reagimin e Odës.

