Hasan Shala, përfaqësuesi ligjor i Bashkësisë Islame në Pejë, e ka cilësuar “skandal” aktgjykimin e fundit të Gjykatës së Apelit në rastin e shumëkatëshes në Pejë, punimet e së cilës u ndalën me vendim të gjykatës.
Bashkësia Islame e Kosovës e konsideron të ndërlikuar me vendime kundërthënëse gjyqësore, situatën e krijuar me lejen për ndërtimin e shumëkatëshes afër xhamisë “Taftali” në Komunën e Pejës.
Punimet për ndërtimin e një objekti shumëkatësh në afërsi të Xhamisë së Taftalisë, në zonën qëndrore të Pejës, janë pezulluar me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Leja ndërtimore e lëshuar nga Komuna e Pejës ka përfunduar në një betejë ligjore mes Komunës dhe Ministrisë së Kulturës, ku një nga çështjet kryesore mbetet përfshirja e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore.
Në prill të vitit të kaluar, Komuna e Pejës lëshoi leje ndërtimore për një objekt gjashtë-katësh në afërsi të Xhamisë së Taftalisë në lagjen e quajtur “Sahat Kulla”. Leja iu dha një investitori privat dhe për ndërtimin e objektit dha pëlqim edhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë.
Paraprakisht, investitori aplikoi për leje në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si i vetmi institucion me mandat për miratimin ose refuzimin e projekteve që prekin trashëgiminë arkitekturore.
Por Instituti nuk e trajtoi lëndën brenda afatit 15-ditor të paraparë me Ligj, duke i hapur rrugë Komunës së Pejës për lëshimin e lejës ndërtimore duke u thirrur në “heshtjen administrative” të organit ministror.
Kjo heshtje që derivoi si pasojë e neglizhencës së papërgjegjshme të zyrtarëve të IMMK-së në trajtimin e aplikimit të investitorit për leje, është pikënisja e një problemi që shkoi duke u trashur.
Avokati Hasan Shala që përfaqëson Bashkësinë Islame të Kosovës, e cila është palë e interesit në këtër rast, tha se vendimi për caktimin e masës së përkohshme, ndalimin e punimeve, po i shkakton dëme të mëdha dhe të pariparueshme investitorit, si dhe vetë Bashkësisë Islame.
Sipas tij, ndërprerja e punimeve sjell dëme të pariparueshme për shkak të mospunës.
Shala theksoi se fillimisht Gjykata e Apelit kishte anuluar masën e sigurisë dhe kishte kërkuar nga shkalla e parë që të vlerësojë çështjen e afateve, duke theksuar se në këtë rast kemi të bëjmë me “heshtje administrative”.
Ai shpjegoi se Komuna e Pejës kishte lëshuar lejen ndërtimore pikërisht mbi këtë bazë, pasi institucionet përgjegjëse nuk kishin reaguar brenda afatit ligjor, duke i hapur rrugë investitorit për nisjen e punimeve.
Megjithatë, sipas tij, në rivendosje Gjykata e Shkallës së Parë nuk i ka respektuar udhëzimet e Apelit dhe është fokusuar vetëm në çështjen e afateve, pa trajtuar elemente të tjera thelbësore.
“Situata është shumë e komplikuar. Si duket e ka kompliku edhe vetë gjykata, sidomos Gjykata e Apelit. Për shkak se është caktu masa e sigurisë, masa e përkohshme, ndalimi i punës, që me këtë ndalim i shkakton dëme të pariparueshme investitorit. Edhe ne si BIK kemi interesat tona për shkak se aty është me përqindje, të ndërtimit e kanë pjesën e vet, dhe Bashkësia Islame, dmth është interesi i përbashkët, si i investitorit, ashtu edhe Bashkësisë Islame të Pejës. Me ndërprerje të punës shkaktohen dëme të pariparueshme për shkak se punëkryerësit i shkaktohen shpenzime të mëdha për mospunë sepse këtë do ta bart edhe vetë Ministria e Kulturës.
E vërteta është se Gjykata e Apelit në rastin e parë e ka anulu masën dhe ia ka tërheq vërejtjen gjyqtares që të vlerësojë afatshmërinë, në rastin konkret kemi të bëjmë me heshtje administrative. Komuna e Pejës ka dhënë leje për ndërtimin e atij objekti, meqënëse kemi pas heshtje administrative, edhe ata e kanë lëshu lejen. Pas një kohe të gjatë këta kanë marrë, edhe pse duhet të kuptohet heshtja administrative se kur bëhet një kërkesë nga një qytetar, i një organi administrativ, nëse në afatin e caktuar nuk përgjigjesh atëherë fillon heshtja administrative me çrast komuna e ka shfrytëzu dhe pala e ka marrë lejen dhe ka fillu ndërtimin e objektit. Herën e dytë kur ka shku, edhe pse Gjykata e Shkallës së Parë nuk ka vepru konform rregullave dhe sugjerimeve nga Gjykata e Apelit, ajo Shkalla e Parë është përcaktu vetëm nga datat, nuk ka ndodh asgjë tjetër përveç se kemi a s’kemi shkelje administrative, a është padia e afatshme apo pasafatshme”, deklaroi Shala.
BIK vlerëson se leja ndërtimore e lëshuar nga Komuna e Pejës është e ligjshme dhe se padia e Ministrisë së Kulturës është paraqitur jashtë afatit ligjor.
“Ne përveç që konsiderojmë që vendimi për leje i Komunës së Pejës është i ligjshëm, konsiderojmë se edhe padia e paditëses është e pasafatshme. Edhe pse nuk kanë vepru konfrom vërejtjeve dhe sugjerimeve Gjykata e Shkallës së Parë si i ka thënë Gjykata e Apelit, ajo ka nxjerrë një vendim”, tha më tej ai.
Shala ka shprehur shqetësim edhe për ndryshimin e qëndrimit të Gjykatës së Apelit, e cila në vendimin e dytë ka konfirmuar masën e sigurisë, duke ndaluar punimet.
“Tash, skandali sipas neve edhe më i madh është që pa e vendos lidhjen dhe sugjerimet e shkallës së parë, tash Gjykata e Apelit e ndryshon qëndrimin edhe e vërteton masën e përkohshme për sigurinë, ndalim i punës. Që do të thotë, i njëjti kolegj ka vepru por nuk ka qenë i anshëm dhe subjektiv me rastin e vërtetimit të aktvendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, për herë të dytë”, ka deklaruar avokati Shala.
Dilemat mbi respektimin e afateve ligjore mund të ndikojnë fatin e kontestit gjyqësor në tërësi, sidomos nëse konstatohet se afatet për ushtrimin e mjeteve juridike janë tejkaluar.

