Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë realizuar sot një aksion simbolik para Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë vendosur banerin me mbishkrimin “Voto Ligjin”, duke kërkuar procedimin dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.
Aktivisti Rron Kafegjolli tha se qytetarët prej 17 ditësh po kërkojnë miratimin e këtij ligji dhe se vonesat janë të papranueshme.
Kafegjolli tha se sipas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti, ligji po mbahet i bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Financave.
“Ky nuk është një udhëzim çfarëdo që mund ta kaloni lart e poshtë nëpër zyre! Sepse bëhet fjalë për ligjin që mbron të vërtetën e UÇK-së, dhe ne nuk do të lejojmë zvarritjen e tij”, u shpreh ai.
Ai kritikoi ministrat Donika Gërvalla dhe Hekuran Murati, duke kërkuar që institucionet të veprojnë në përputhje me kërkesat e qytetarëve.
“Institucionet e këtij shteti nuk mund të mbeten peng i inateve apo bindjeve personale të ministres Gërvalla dhe ministrit Murati. Shteti nuk është pronë private e dikujt”, tha Kafegjolli.
Duke përmendur afrimin e skadimit të zgjedhjes së presidentit deri më 6 tetor, ai i bëri thirrje Qeverisë të mos e zvarrisë më tej ligjin.
“Qeveria duhet ta dijë se rinia po i vëzhgon dhe 6 tetori po afron me shpejtësi. Mos e provokoni durimin tonë”, deklaroi ai.
Kafegjolli e përmbylli fjalimin me kërkesën që Qeveria ta dëgjojë zërin e protestuesve dhe të rreshtohet në anën e drejtë të historisë.

