Tre zyrtarë nga Maqedonia e Veriut, deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, pretenduan se dje janë përballur me ndalesë për hyrje në Shqipëri.
Burime nga pika kufitare e Qafë-Thanës nga pala shqiptare bënë me dije për Euronews Albania se nuk ka pasur asnjë incident apo ndalim për të hyrë drejt tokës shqiptare për tre zyrtarët nga Maqedonia e Veriut.
Zyrtarët e kufirit dhe migracionit në juglindje të Shqipërisë shtojnë se të tre zyrtarët kanë qenë duke udhëtuar me një shtetas të katërt, i cili paraqiste probleme me pasaportën dhe nuk mund të hynte drejt Republikës së Shqipërisë.
“Të tre zyrtarët e tjerë mund të kalonin lirshëm por kanë preferuar të kthehen dhe mos kalojnë kufirin”, thuhet në reagim.
Pas publikimit të informacionit, reagoi partia VLEN prej ku kërkuan sqarime nga shteti shqiptar.
Qoku, Azizi dhe Murtezani përballen me ndalesë për hyrje në Shqipëri
Sipas informacioneve të komunikuara jozyrtarisht nga policia kufitare, ndaj tyre paska një ndalesë hyrjeje. Megjithatë, asnjë vendim, dokument apo arsyetim nuk u është bërë i ditur. VLEN kërkon nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë të informojnë opinionin publik nëse ekziston vërtet një masë e tillë”.
“Nëse po, kush e ka marrë këtë vendim, mbi çfarë baze ligjore është mbështetur dhe cilat janë arsyet konkrete për një veprim të tillë ndaj zyrtarëve të zgjedhur dhe përfaqësuesve institucionalë. Marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të ndërtohen mbi transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë, jo mbi ndalesa të pashpjeguara dhe procedura që lënë vend për dyshime”, thanë nga VLEN.

