Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) kanë paralajmëruar protestë për sot, në orën 10:00, para Gjykatës Supreme në Prishtinë, për të shprehur pakënaqësinë e tyre për mosmarrjen e pagave.
Ata kanë mbetur pa paga për gati tre muaj, si pasojë e bllokimit të llogarisë bankare të ndërmarrjes në kuadër të një procedure përmbarimore që lidhet me një kontest gjyqësor.
Sipas NPB-së, bllokimi i llogarisë ka pamundësuar ekzekutimin e pagave për muajt gusht dhe shtator, duke u shkaktuar vështirësi punëtorëve që presin kompensimin për punën e kryer.
Nga ndërmarrja kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë të shfrytëzojnë të gjitha mjetet juridike dhe institucionale në dispozicion, me qëllim të mbrojtjes së interesit publik dhe pasurisë publike, duke respektuar njëkohësisht pavarësinë e gjyqësorit.

