Hën. Tet 12th, 2026

Maqedonci paralajmëron për rrezikun nga Serbia: Synimet destabilizuese ndaj Kosovës vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka folur për një media ndërkombëtare “Talking with TVP world” , lidhur me synimet destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës, duke theksuar se qasja hegjemoniste e Beogradit ndaj vendit nuk ka ndryshuar.

Maqedonci ka vlerësuar se Serbia vazhdon të ndjekë politika që cenojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajon, ndërsa bashkëpunimi i saj me Rusinë dhe blerja e armatimeve nga vende të tjera përbëjnë shqetësim për Kosovën dhe vendet fqinje.

Ai ka theksuar se synimet e Serbisë ndaj Kosovës pasqyrohen edhe në deklaratat e zyrtarëve të saj dhe në veprimet që lidhen me sigurinë. Sipas tij, shqetësim të veçantë paraqet edhe mbështetja që institucionet serbe të sigurisë u japin elementeve të përfshira në sulme kundër Kosovës.

Maqedonci ka rikujtuar edhe sulmin e armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe sulmin ndaj infrastrukturës kritike në kanalin Ibër-Lepenc në Varragë të Zubin Potokut.

Ai ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit, ndërsa bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është i rëndësishëm për përballimin e kërcënimeve dhe parandalimin e përshkallëzimit të situatës në rajon.

Postime të Ngjashme