Në disa qytete të Kosovës sot do të mbahen protesta kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protestat zhvillohen nën moton “Jo në emrin tim”, ndërsa organizatorët (OVL UÇK) kanë bërë thirrje për pjesëmarrje paqësore.
Sipas njoftimit të “Liria ka Emër”, tubimet në qytetet ku veprojnë degët e OVL UÇK-së do të zhvillohen në orare të ndryshme
Në Podujevë protesta është paralajmëruar për në orën 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”. Në të njëjtën orë tubime pritet të mbahen në Istog, Rahovec, Deçan, Gjilan dhe Mitrovicë.
Në Kaçanik dhe Drenas protestat janë paralajmëruar nga ora 17:30.
Në Prizren, tubimi do të nisë në orën 19:00, në Shadërvan. Organizatorët atje kanë bërë thirrje që protesta të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe demokratike.
Ndërkaq, në Prishtinë protesta do të mbahet nga ora 21:00, në sheshin “Skënderbeu”.
Protestat nën moton “Jo në emrin tim” kanë nisur pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Tubime janë mbajtur për disa net radhazi në kryeqytet.
Platforma “Liria ka Emër” ka paralajmëruar edhe një protestë të madhe më 1 tetor në Prishtinë, nga ora 16:00. Ndërkohë, protesta janë paralajmëruar edhe në disa qytete evropiane më 26 dhe 27 shtator.

