Sht. Pri 18th, 2026

Protesta e mbrëmshme e PD-së në Tiranë, disa të lënduar e 11 të arrestuar

Protesta e zhvilluar mbrëmjen e kaluar nga Partia Demokratike përpara Kryeministrisë në Shqipëri është shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë, duke çuar në arrestimin e 11 personave dhe shoqërimin e shumë të tjerëve.

Tubimi, i paralajmëruar si një protestë paqësore me fjalime nga drejtuesit e opozitës, degjeneroi në momente dhune menjëherë pas fjalës së kreut të PD-së, Sali Berisha.

Në drejtim të godinës së Kryeministrisë u hodhën molotovë, ndërsa nuk munguan përplasjet fizike mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Si pasojë e incidenteve, disa përfaqësues të opozitës dhe protestues janë dërguar në spital.

Mes tyre janë ish-kandidati për deputet dhe gazetari Aulon Kalaja, dhe deputetët Luciano Boçi dhe Klevis Balliu, të cilët kanë shfaqur probleme shëndetësore. Gjithashtu, një efektiv policie ka pësuar çarje në kokë dhe djegie.

Në përfundim të protestës, Berisha paralajmëroi vijimin e tubimeve në ditët në vijim, ndërsa akuzoi policinë për dhunë, duke e cilësuar atë si “kriminelë profesionistë”.

Ndërsa Ministri i Brendshëm, Besfort Lamellari, i cili reagoi me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se ka përgëzuar policinë për reagimin profesional, vetëpërmbajtjen dhe neutralizimin e menjëhershëm të molotovarëve, që sipas tij, përdoren si ‘mish për top’ për të djegur qytetin dhe për të rrezikuar jetën e efektivëve me uniformë./tvklan

Postime të Ngjashme