Prizreni për tri net me radhë pritet të shndërrohet në epiqendër të ritmeve rock, duke mbledhur adhurues të muzikës nga trojet shqiptare dhe më gjerë në një atmosferë paharrueshme.
Kështu u bë e ditur gjatë promovimit të edicionit të katërt të festivalit “Rock&Blues Fest”, në Prizrenm i cili do të mbahet më 3,4,5 korrik. Promovimi u shoqërua me performancë live nga grupi “NA”, duke sjellë ritmet e rock-ut para publikut prizrenas dhe mysafirëve të shumtë.
Që në hapje të aktivitetit u vu në pah rëndësia e promovimit të rock-ut si kulturë, ndërsa publiku u ftua të bëhet pjesë e festivalit, i cili edhe këtë vit do të jetë falas.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se ky festival është ndërtuar mbi idenë e promovimit të vlerave autentike të rock muzikës dhe trashëgimisë kulturore të qytetit.
“Kur ka lindur ideja për me krijuar një festival të tillë, e kemi pasur parasysh mjaft vlerat artistike të rock muzikës, dhe jo vetëm vlerat artistike, por edhe konceptin e përgjithshëm, mindset-in, mënyrën e të jetuarit, mënyrën e të menduarit, edhe qëllimi ka qenë me promovuar rock muzikën, me ia ofruar gjeneratave të reja një vlerë të jashtëzakonshme muzikore, në mënyrë që të japin kontribut që mos të harrohet ajo. Ideja në fillim ka pasur pak skepticizëm nga individë të ndryshëm, mirëpo unë kam qenë shumë i sigurt bashkë me Hekuranin, kemi filluar, kemi vazhduar dhe përkundër sfidave”, tha Totaj.
Ai shtoi se festivali tashmë po shndërrohet në një traditë kulturore të qytetit, duke pasuruar jetën artistike dhe duke forcuar identitetin e Prizrenit si qytet i kulturës dhe rock-ut.
“Ky festival po shndërrohet në festival tradicional. E ka begatu jetën kulturore të Prizrenit, e ka rikonfirmuar se Prizreni është qytet i kulturës, po akoma më tepër qytet i rock ‘n’ roll-it. Po ai ka pasur edhe efektin komercial për zhvillimin e turizmit si komponentë shumë e rëndësishme, edhe të ekonomisë, edhe të identitetit të përgjithshëm të qytetit të Prizrenit”, tha ai.
Sipas tij, festivali po rikthen në vëmendje figurat dhe frymën e skenës së dikurshme rock në Prizren, duke krijuar hapësirë edhe për talentet e reja. Totaj theksoi se përmes këtij organizimi po bën një rikthim simbolik në ditët e vjetra të qytetit dhe një rikujtim i vlerave të tij kulturore.
Edicioni i katërt i “Rock&Blues Fest”, do të sjellë rreth 15 bende, të cilat sipas drejtorit të festivalit, Hekuran Gashi, do të performojnë në dy skena, me pjesëmarrje të artistëve të njohur nga rajoni dhe bota.
Ai veçoi rikthimin e bendit “Telex” pas dy dekadash, performancën e “Dire Straits Legacy”, si dhe pjesëmarrjen e grupeve “Kolpa”, e “Tre Muskuterët”.
“Na vjen një bend mega nga Turqia, Kolpa, është sivjet pjesë e line up-it tonë, e shumë e shumë të tjerë. Guns n’Roses Tribut, vjen nga Italia, pa dyshim. Unë kisha me i rikujtu ata tre musketierët që janë shumë për qejfin tim, TNT, që na vjen si bend hapës i festivalit tonë. Edhe duke pas parasysh se prezenca e tyre ka ndryshuar nga një vit në vit, ashtu këtë arsye e kemi rregulluar me ndodh dy skena sivjet. Kështu që gjithçka fillon nga ora 18:30 në skenën promovuese bendet e reja, edhe vazhdon me main stagin edhe përfundon diku rreth orës 01:00 e ku do të kemi muzikë Live” , tha ai.
Gashi shtoi se pjesë e festivalit do të jenë edhe bende nga Shqipëria, si dhe nga Kosova bendi “Dhjetori”, të cilët, bashkë me emrat e tjerë të skenës rock, pritet të krijojnë një atmosferë të veçantë.
Sipas tij, festivali këtë vit zhvendoset në një lokacion të ri, përballë qendrës sportive në Prizren, ku do të ndërtohen dy skena.
“Lokacioni i ri është përballë qendrës sportive, jo shumë larg nga lokacioni i vjetër edhe unë po besoj që kemi bërë përzgjedhjen e duhur se njerëzit janë mësuar me lokacionin që ne e kemi pasur. Gjithsesi, do të bëhet gjithçka prej zeros atje. Kemi me pas një skenë main stage gjigante që ndoshta mund të jetë skena më e madhe në Kosovë për momentin edhe një skenë tjetër promovuese që mund të jetë për bendet e reja.”, u shpreh ai.
Para performancës live të grupit “NA”, kryetari i Komunës së Prizrenit dhe drejtori i festivalit ftuan të gjithë adhuruesit e rock-ut dhe jo vetëm, nga të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë që t’i bashkohen edicionit të katërt të festivalit.
“Në këtë ambient interesant po përdoret një shprehje tjetër, ku ka më mirë se me u marrë me rock and roll? Dhe ku ka privilegj më të madh se me i ftuar, me i thirr njerëzit, hajde të dëgjojmë rock and roll bashkë, jo vetëm rokerët, por të gjithë ata të cilët kanë shije për muzikë të mirë sepse jam shumë i sigurt që vlera edhe kualiteti i rock and roll-it vetvetiu dao t’i tërheqë rokerët e rinj, sepse në këtë fund të fundit promovimi i rock and roll-it nënkupton edhe tërheqjen e fansave të rinj, në mënyrë që festivali në vitet në vijim të jetë akoma më i madh, akoma më prezentativ edhe të shndërrohet ndoshta ikonë e veçantë e Prizrenit, po edhe e krejt Kosovës”, tha ai.
Me këtë festival që bashkon emra të njohur vendorë e ndërkombëtarë, organizatorët synojnë që edicioni i katërt i “Rock&Blues Fest” ta forcojë edhe më shumë pozitën e Prizrenit si një nga qendrat e muzikës rock në rajon.
LEXO LAJMIN EDHE NË
KOSOVAPRESS
