Një palestinez, që ishte ndaluar në Kosovë, është ekstraduar, të mërkurën, në Gjermani, ku ka qenë i kërkuar me letër rreshtim ndërkombëtar.
E nga ky shtet evropian,nga Gjermania është kthyer në Prishtinë për t’u dërguar më pas në Mitrovicë të Jugut, një kosovar që ishte i kërkuar nga autoritetet e këtushme.
Lajmin për realizimin e këtyre dy ekstradimeve për dhe nga Gjermania, e ka bërë të ditur policia e Kosovës, të enjten.
Sipas forcave të rendit, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante policore, më 15 korrik ka dërguar nga Kosova në Gjermani një shtetas palestinez, i kërkuar nga autoritetet e Berlinit zyrtar përmes letër-rreshtimit ndërkombëtar. Ai dyshohet se ishte pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në veprën penale të kontrabandës me emigrantë, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton KosovaPress.
Ndërkaq, më 16 korrik, nga Gjermania është ekstraduar një shtetas kosovar, i kërkuar nga autoritetet e drejtësisë vendore. Pas mbërritjes në Prishtinë, ai u është dorëzuar njësive përkatëse të policisë në rajonin e Mitrovicës së Jugut për procedurat e mëtejshme ligjore.
Për të dy ekstradimet u tha se janë realizuar falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe autoriteteve të Gjermanisë. /KosovaPress/

