Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë thirrje për bashkëpunim institucional dhe politik në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, duke theksuar se ky projekt duhet të trajtohet si prioritet shtetëror dhe kombëtar.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se Lojërat Mesdhetare janë një mundësi për të gjithë Kosovën dhe se për realizimin e tyre duhet të tejkalohen dallimet politike dhe institucionale.
“Prishtina 2030 është mundësi për gjithë Kosovën. Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 duhet të jenë prioritet ynë shtetëror dhe kombëtar. Ky është një projekt që i tejkalon mandatet politike, interesat partiake dhe dallimet institucionale. Siç ishim bashku në Balkan Summit, le të vazhdojmë të punojmë bashkë për të mirën e qytetarëve tanë dhe të shtetit tonë”, ka shkruar Rama.
Thirrja e kryetarit të Prishtinës vjen në kohën kur përgatitjet për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 kërkojnë koordinim mes institucioneve lokale dhe atyre qendrore, me synimin që Kosova të jetë e gatshme për organizimin e kësaj ngjarjeje të madhe sportive ndërkombëtare.
KosovaPress

