Pre. Kor 31st, 2026

Policia nis hetimet për terrorizëm pas mesazheve në Zubin-Potok

Një kërcënim i ri terrorist ka alarmuar organet e sigurisë në veri të Kosovës. Organizata “Severna Brigada”, e shpallur zyrtarisht terroriste nga Qeveria, ka përdorur rrjetet sociale për të kërcënuar drejtpërdrejt me jetë zyrtarët institucionalë në Zubin Potok. Policia e Kosovës e ka klasifikuar menjëherë rastin si vepër penale terroriste, duke angazhuar njësitë e specializuara për ta gjurmuar origjinën e mesazheve.

Ky zhvillim rikthen në skenë strukturat ilegale që sfidojnë hapur autoritetin shtetëror dhe rendin kushtetues në komunat veriore, shkruan RTK.

Ajo që dikur bëhej përmes barrikadave, armëve dhe sulmeve të drejtpërdrejta ndaj Policisë së Kosovës, sot po tentohet të mbahet gjallë nga distanca. E ashtuquajtura “Brigadë e Veriut”, e cila zyrtarisht në Kosovë është e shpallur e jashtëligjshme dhe terroriste, është rishfaqur në veri të vendit. Këtë herë me kërcënime të hapura digjitale. Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, kjo organizatë ka kanosur me jetë zyrtarë institucionalë në komunën e Zubin Potokut, gjë që ka alarmuar alarmuar sërish organet e rendit.

Në Raportin 24 orësh të policisë, thuhet se rasti tashmë ka marrë peshë maksimale ligjore. Është iniciuar lëndë për ‘kryerje të veprës penale terroriste’, ndërsa dosja po trajtohet me urgjencë nga njësitet relevante të hetimeve që po gjurmojnë adresat dhe origjinën e mesazhit kërcënuese.

Nga këndvështrimi i ekspertëve të sigurisë, ndryshimi i taktikave nga sulmet fizike në ato virtuale tregon dobësimin e strukturave të tyre në terren, megjithëkëtë kjo nuk e zvogëlon rrezikun. Vetë fakti që ‘Brigada e Veriut’ është e shpallur zyrtarisht organizatë terroriste nga Qeveria e Kosovës, e obligon shtetin që çdo kërcënim në emër të saj ta trajtojë me seriozitet të plotë dhe me mekanizma të specializuar të hetimit.

“Janë mu këta persona që e kanë cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Pra vepra penale është vepër terroriste. Çdo proces pozitiv që është në Republikën e Kosovës, estabilishmentit në Beograd nuk i pëlqen kjo, sepse ai estabilishment i mbron këta pjesëtarë të organizatës “Severna Brigada” ose “Mbrojtja Civile”. Janë të njëjtët domethënë”, tha Arben Dashevci, njohës i sigurisë.

Rikthimi ‘Brigadës së Veriut’ me kërcënime virtual, sipas ekspertit të sigurisë Dashevci, ndërlidhen me aksionin e javës së fundit të Ministrisë së Mjedisit dhe Policisë së Kosovës, të cilët rrënuan 17 vila dhe hotele të ndërtuara pa leje në pronat publike të ndërmarrjes ‘Ibër-Lepenc’ buzë liqenit strategjik të Ujmanit. Ky spastrim i uzurpimeve ka prekur interesat e grupeve kriminale në veri, të cilat tani po tentojnë të hakmerren përmes terrorit digjital.

“Çdo veprim që ndërmerret pa marrë parasysh edhe me Ibër-Lepencin, por edhe përpara me targa, për pagesën e energjisë dhe për të gjitha proceset pozitive, për mbylljen e zyrave ilegale. Kanë qenë mu këta dhe të tjerët që janë kriminelë, që janë cilësuar si organizata terroriste, që kanë reaguar, po reagojnë“, tha për RTK, Arben Dashevci, njohës i sigurisë.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës e ka konfirmuar për RTK-në se ka pranuar informacion nga Policia e Kosovës lidhur me rastin. Sipas këtij institucioni, në koordinim me policinë, rasti është duke u trajtuar në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ndonëse është zhvendosur në hapësirën kibernetike, propaganda e Brigadës së Veriut tregon se strukturat e jashtëligjshme po tentojnë të bllokojnë shtrirjen e ligjshmërisë në veri.

Tre vjet pas shpalljes si organizatë terroriste, ky rikthim i tyre mbetet një test i rëndësishëm për organet e rendit, të cilat tani duhet të mbrojnë jo vetëm pronën publike në Ujman, por edhe jetën e zyrtarëve që zbatojnë ligjin në terren.

Postime të Ngjashme