Policia e Kosovës ka realizuar dy arrestime të ndara të personave të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, në bashkëpunim me autoritetet relevante dhe njësitet rajonale policore.
Më 23 prill 2026, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet e DRP-së në Prishtinë, ka arrestuar një shtetas kosovar, i cili kërkohej nga INTERPOL-i, bazuar në një urdhërarrest të lëshuar nga autoritetet e Shqipëria. I dyshuari kërkohej për veprën penale “Kontrabandë me migrantë”.
Ndërkaq, më 24 prill 2026, në një operacion tjetër të zhvilluar në bashkëpunim me DRP-në në Pejë, është arrestuar një tjetër shtetas kosovar, i cili po ashtu kërkohej nga INTERPOL-i me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare, për veprën penale: “Mashtrim përmes Call Center”-it.
Me urdhër të prokurorëve kompetentë, të dy të arrestuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa pritet vazhdimi i procedurave të mëtejme ligjore në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.

