Mër. Kor 8th, 2026

Për herë të parë në Klinikën e Neurokirurgjisë realizohen me sukses operime me teknikën e neuroendoskopisë

Klinika e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka shënuar një arritje të rëndësishme profesionale, duke realizuar për herë të parë me sukses operime neurokirurgjikale me teknikën e neuroendoskopisë, një nga metodat më moderne dhe minimalisht invazive në kirurgjinë e trurit.

Më 6 dhe 7 korrik, klinika pati nderin të mirëpresë neurokirurgun e njohur nga Gjermania, Dr. Gousias Konstantinos, i cili, në bashkëpunim me ekipin profesional të Klinikës së Neurokirurgjisë, udhëhoqi realizimin e këtyre procedurave të avancuara kirurgjikale.

Gjatë kësaj vizite u kryen me sukses dy ndërhyrje të rëndësishme: operimi i një tumori të hipofizës përmes qasjes neuroendoskopike dhe operimi i një tumori të ventrikulit të tretë të trurit me teknikën neuroendoskopike.

Në të dyja ndërhyrjet u përdor edhe neuronavigatori, aparaturë moderne e disponueshme në Klinikën e Neurokirurgjisë, e cila mundëson orientim të saktë anatomik gjatë operacionit, rrit sigurinë e procedurës dhe ndihmon në kryerjen e ndërhyrjeve me precizion maksimal, në përputhje me standardet bashkëkohore të neurokirurgjisë.

Të dy pacientët e operuar janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdojnë trajtimin dhe rikuperimin sipas planit mjekësor.

Përveç suksesit klinik, vizita pati edhe një vlerë të veçantë profesionale dhe edukative. Gjatë gjithë procedurave, mjekët neurokirurgë, anesteziologët, infermierët instrumentarë dhe personeli i sallës operative morën pjesë aktive në trajnim praktik, duke përfituar njohuri dhe përvojë të drejtpërdrejtë në zbatimin e teknikave moderne të neuroendoskopisë dhe përdorimin e neuronavigatorit.

Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve profesionale të Klinikës së Neurokirurgjisë dhe në zgjerimin e gamës së shërbimeve që u ofrohen pacientëve.

Postime të Ngjashme