Mër. Gus 26th, 2026

PDK edhe sot në Kuvend

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka bërë sërish thirrje për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke njoftuar se sot, e hënë, 24 gusht, nga ora 11:00 do të jetë në sallën e Kuvendit.

PDK ka njoftuar se ftesa i është drejtuar kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, Avni Dehari, me kërkesën që të thërrasë vazhdimin e seancës dhe të procedohet me konstituimin e Kuvendit.

Megjithatë, deri më tani, nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila është partia në pushtet, nuk ka pasur përgjigje ndaj kësaj ftese. Sipas PDK-së, përgjigje nuk është marrë as ndaj ftesave të mëparshme për vazhdimin e seancës.

Kjo situatë vjen pasi në seancën e fundit kryetari i VV-së, Albin Kurti, kërkoi kohë për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.

PDK ka kritikuar qasjen e partisë në pushtet, duke e cilësuar atë si cenim të rendit kushtetues dhe duke kërkuar që procesi i konstituimit të Kuvendit të vazhdojë në përputhje me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit.

Postime të Ngjashme