Zyra e Presidencës pas 5 tetorit mund të mbetet pa president/e nëse vendi shkon në zgjedhje. Kjo pasi ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i skadon mandati gjashtëmujor. Për këtë çështje, Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi thotë se institucionet duhet të gjejnë një zgjidhje para skadimit të këtij afati, pasi Kushtetuta nuk parasheh vazhdimin e mandatit.
Jakaj në një intervistë tha se Kuvendi duhet të mblidhet sa më shpejtë.
“Ajo çfarë ndodhi në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, marrëveshjes për kandidimin e zotit Bekim Sejdiu për president, ishte një marrëveshje e mirë në kuptimin që Kosova të ketë një president, në mënyrë që një marrëveshje për presidentin në mënyrë që të konstituohet me shpejtësi Kuvendi edhe të formohet edhe Qeveria, pavarësisht se po bëhet kjo jashtë afateve kushtetuese. Por, duke i parë që 6 deputetët e LDK-së janë kundër një marrëveshjeje të tillë edhe nuk do të votojnë edhe nuk do të marrin pjesë në votim, siç vetë ata kanë deklaruar, atëherë Kuvendi do të duhej të mblidhej shumë shpejt. Zoti Dehari ta thërrasë seancën, vazhdimin e seancës konstituive, të konstituohet Kuvendi shpejt, të formohet Qeveria pa harxhuar kohë, dhe në ndërkohë të rrjedhë afati për presidentin“, tha Jakaj.
Jakaj ka thënë se, në rast të bllokimit politik, vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje, në mënyrë që të mos tejkalohet afati i mandatit të ushtruesit të detyrës së presidentit.
“Por, pavarësisht rrjedhës së afatit të presidentit, do të duhej të kishte një marrëveshje politike që të shkohet edhe në zgjedhje të reja sa më shpejt, sepse në rastin kur ka barrikadim të partive politike që nuk preferojnë ose nuk duan ose për arsye të ndryshme që mund të jenë legitime ose mund të mos jenë legitime, atëherë vendi të shkojë në zgjedhje me një marrëveshje politike pa i ardhur përfundimi i afatit prej 60 ditësh. Sepse në rast se i bie afati kryhet afati 60-ditor, ne do të hyjmë në periudhën pas datës 5 tetor kur përfundon afati 6-mujor i ushtrimit të detyrës së presidentit dhe në këtë rast Kushtetuta nuk ka paraparë që ky president, kryetari i ri i Kuvendit, t’i vazhdohet mandati për një periudhë tjetër. Edhe deputetët, edhe partitë politike, krerët e partive politike do të duhej me i thirrë mendjes në mënyrë që me e respektuar kushtetutshmërinë, ligjshmërinë edhe mos me ndodhë që pas datës 5 tetor me përfunduar në një situatë ku ne nuk e kemi shkelur asnjëherë dhe ku kjo situatë, që dihet pak a shumë se çka do të ndodhë, të hyjmë në një fazë të kontestueshmërisë se atij presidenti“, tha ai.
Ai ka paralajmëruar se vazhdimi i ushtrimit të detyrës pas skadimit të mandatit mund të krijojë një zinxhir institucionesh që do të mund të konsideroheshin jokushtetuese.
“Sepse ta zëmë në rastin kur do të qëndronte zonja Haxhiu ose do të qëndronte një kryetar tjetër i Kuvendit, ose vetë zonja Haxhiu do të qëndronte në pozitën e kryetares së Kuvendit e rrjedhimisht edhe ushtruese e detyrës së presidentit pas datës 5 tetor, atëherë ai president, ai ushtrues detyre që është jashtë afatit kushtetues, jashtë mandatit kushtetues, do ta propozonte një kryeministër, do ta mandatonte dekretin e një kryeministri që do ta propononte një qeveri jo-kushtetuese, një kryeministër jo-kushtetues, një Kuvend jo-kushtetues dhe një president tjetër jo-kushtetues. Prandaj ne do të ktheheshim në një pikë zero ku në pikën zero do të duhej vetëm me pasë një dakordim politik se sa kështu juridik. Por do të vërtetohej edhe do të mbetet në historinë e institucioneve, në historinë institutional të Kosovës, që për arsye të tekeve, inateve dhe qëllimeve kryesisht elektorale ne e rrënuam kushtetutshmërinë, kushtetutshmëri për të cilën Kosova ka dhënë edhe popullata, qytetarët e Kosovës kanë dhënë mjaft për këtë gjë“, u shpreh ai.
I pyetur nëse Gjykata Kushtetuese mund të japë një interpretim që do t’ia vazhdonte mandatin Haxhiut ose ushtruesit të detyrës së kryetarit të Kuvendit pas 5 tetorit, Jakaj tha se një kërkesë e tillë mund të bëhet, por aktualisht situata mbetet hipotetike.
“Këtë gjë mund ta kërkojë vetë zonja Haxhiu aktualisht, mund ta kërkojnë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta bëjnë një interpretim në një situatë të tillë. Ne nuk kemi hyrë në situatë të tillë, është një situatë hipotetike, gjë për të cilën Gjykata Kushtetuese nuk besoj që mund ta trajtojë. Gjykata ka ndërruar standardet në disa çështje të caktuara, mundet që ta ndërrojë edhe këtë situatë, që ta interpretojë atë nenin kushtetues ku thuhet që në mungesë të presidentit e ushtron kryetari i Kuvendit për 6 muaj dhe mund të thotë Gjykata Kushtetuese që mund të vazhdojë ushtruesi i detyrës së kryetarit të Kuvendit meqenëse i ka përfunduar afati 6-mujor, por për arsye të rrethanave të caktuara politiko-juridike që t’i vazhdohet mandati atij apo asaj presidente. Por deri në këtë moment nuk e di se si mund ta arsyetojë Gjykata. Ndoshta për arsye të rrethanave, siç ka ndërruar standardet ta zëmë tek çështja e pranueshmërisë së procesverbaleve në vend të vendimeve të Kuvendit, por një gjë të tillë duhet ta shohim më pas“, tha tutje Jakaj.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse presidenti nuk zgjidhet në kohë ose posti mbetet vakant, kryetari i Kuvendit emërohet ushtrues detyre për një periudhë jo më të gjashtë se gjashtë muaj, deri sa vendi ta zgjedhë një president të ri.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

