Objekti qendror i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës po i nënshtrohet një transformimi rrënjësor me një investim prej mbi 1.3 milionë eurosh. Projekti, i cili ka hyrë në fazën e tij të tretë dhe finale, parasheh ndërhyrje tërësore strukturore nga themelet e deri te kulmi.
Ky investim kapital synon të zgjidhë problemin e kahershëm të kushteve teknike e klimatike, duke siguruar që depot e arkivit të përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare për ruajtjen e dokumenteve me vlerë kombëtare.
Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës po i nënshtrohet një transformimi rrënjësor në infrastrukturën e saj. Punimet kanë hyrë në fazën e tretë dhe përfundimtare të ndërtimit në objektin qendror në Prishtinë.
Ky projekt kapital kap vlerën e mbi 1.3 milionë eurove dhe parasheh ndërhyrje tërësore strukturore, nga themelet e deri te kulmi.
“Ky projekt që po e zbatojmë në fazën e tretë është në vlerë 1 milion e 333 mijë euro. Përfshin trajtimin e tërësishëm nga kulmi deri te themelet, ndryshimin e të gjitha sistemeve, nga ndriçimi, klimatizimi dhe të tjera, që garantojnë ruajtje të plotë për materialin”, tha Bislim Bislimi, sekretar i Përgjithshëm në MKRS.
Sistemet e reja të ndërtimit do të zgjidhin problemin e kahershëm të lagështisë dhe temperaturave, duke i përafruar depot me standardet e arkivave botërore. Paralelisht me Prishtinën, po ndërtohen edhe objektet e reja të arkivave ndërkomunale në Gjilan e Mitrovicë, si dhe po zgjerohen kapacitetet në Prizren.
Drejtuesit e institucionit thonë se ky investim ndërtimor po bëhet në kohën kur po shënohet progres i madh edhe në digjitalizimin e dokumenteve.
“Një komponent shumë me rëndësi i investimeve është digjitalizimi, ku tashmë ne kemi tejkaluar numrin prej 9 milionë dokumenteve të digjitalizuara, ndërsa në vitin 2024 e kemi pasur vetëm një milion”, tha Bislimi.
Me përfundimin e plotë të kësaj faze të ndërtimit brenda pak vitesh, Kosova pritet të përmbushë të gjitha nevojat për hapësira fizike dhe teknike për ruajtjen e sigurt të trashëgimisë së saj dokumentare./RTK/

